Nën masa të rrepta sigurie dhe i shoqëruar nga një delegacion i ngushtë njerëzish, dhëndri i ish presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, ka mbërritur sot në Vlorë, duke rikthyer në vëmendje projektet e investimeve në jug të Shqipërisë.
Kushner është ndalur në zonën e Ujit të Ftohtë për disa takime teknike dhe konsultime profesionale, kryesisht me përfaqësues të një studioje arkitekturore ndërkombëtare. Burimet theksojnë se nuk bëhet fjalë për takime me përfaqësues të pushtetit qendror apo vendor, çka sugjeron se vizita ndodhet ende në fazë konceptuale dhe jo në një stad vendimmarrjeje politike.
“The Economist”: Nga do ta marrë ujin Sazani për resortin luksoz të Kushner
Në fokus të diskutimeve zyrtarisht mbetet projekti i investimit në ishullin e Sazanit, një nga asetet më të ndjeshme strategjike dhe historike të vendit, i shpallur prej kohësh objekt i interesit për zhvillime turistike elitare. Takimet, sipas të njëjtave burime, janë përqendruar te modalitetet e realizimit të projektit, koncepti arkitektonik dhe fizibiliteti ekonomik i një investimi të tillë, që kërkon kosto shumë të larta infrastrukturore dhe ndërhyrje komplekse.
Megjithatë, burime të informuara nga brenda procesit bëjnë me dije se interesi real i Jared Kushner nuk është i kufizuar vetëm te Sazani. Përkundrazi, vëmendja kryesore duket se është zhvendosur në pjesën e investimit që prek Zvërnecin, i konsideruar nga investitorët si më pak i kushtueshëm, më i aksesueshëm dhe më rentabël në raport me Sazanin.
Vizita e Kushner në Vlorë, nisin menjëherë procedurat për Sazanin
Zvërneci ofron avantazhe të qarta logjistike dhe infrastrukturore, duke reduktuar ndjeshëm kostot fillestare dhe rreziqet e zhvillimit.
Vizita e Kushner në Vlorë, edhe pse e mbajtur larg syrit publik dhe pa deklarata zyrtare ka ngacmuar menjëherë imagjinatën për marrëdhëniet mes qeverisë shqiptare dhe administratës Trump, që kohët e fundit nuk kanë qenë në nivelin e tyre për të shkëlqyer.
Gjatë ditës së sotme, Rama zhvilloi një mbledhje qeverie online me ministrat, për shkak se duhej të qëndronte në Vlorë pranë dhëndrit të Trump. Burime për Lapsi.al thanë se mbledhja mbaroi në mesditë dhe ishte më shumë një formalitet, pasi e gjithë vëmëndja ishte e fokusuar në krijimin e një ambjenti sa më relaksues dhe mikpritës për dhëndrin e Donald Trump.
Ky është një nga projektet më të mëdha të financuara nga firma e Kushnerit, Affinity Partners, të cilën ai e themeloi menjëherë pas largimit nga administrata Trump, duke siguruar një financim fillestar prej 2 miliardë dollarësh nga Fondi Sovran i Arabisë Saudite.
Mediat ndërkombëtare kanë ngritur pikëpyetje të forta mbi ndikimin që po përdor Kushner për projekte të ngjashme në botë, duke shfrytëzuar faktin që vjehrri i tij është presidenti i Shteteve të Bashkuara.