E mërkura e raundit të shtatë të League Phase në Champions League ka peshë vendimtare sidomos për Juventus dhe Atalantën, të cilat synojnë të mos përsërisin gabimet e Interit dhe Napolit në ditën e djeshme. Conte ka vënë në rrezik kualifikimin, ndërsa Chivu, me shumë gjasë, është dënuar me playoff-et. Një skenar që Palladino shpreson ta shmangë me një fitore ndaj Athletic Bilbaos, ndërsa Spalletti kërkon suksesin kundër Benfikës së José Mourinhos për të fluturuar në kuotën e 12 pikëve. Në fushë edhe Barcelona e Liverpool, që duhet të fitojnë për tu futur në zonën e kualifikimit direkt.
Juventus–Benfica: Spalletti përballë Mourinhos
Luciano Spalletti dhe José Mourinho janë thumbuar nga distanca dhe tani rikthehen përballë në fushë, pas dueleve të shumta në Serie A. “Special One” ka rikthyer Benfikën në garë në Europë me dy fitore radhazi dhe synon një tjetër mrekulli në “Allianz Stadium”, pas asaj të sezonit 2018/19 me Manchester United.
Juventus ka 9 pikë dhe me një fitore do të hipotekonte praktikisht një vend në playoff. Spalletti nuk dëshiron llogari dhe pritet të hedhë në fushë formacionin më të fortë, pas humbjes befasuese me Cagliarin dhe rënies në vendin e pestë në kampionat. David do të udhëheqë sulmin, Locatelli–Thuram në mesfushë, Miretti në rolin e organizatorit me McKennie dhe Yildiz në krahë, ndërsa Conceiçao gati për të ndryshuar ndeshjen nga stoli. Skema do të jetë sërish 4-2-3-1, me Di Gregorio në portë dhe Bremer shtyllë të mbrojtjes.
Edhe Benfica pritet të rreshtohet me 4-2-3-1. Mourinho është i prirur të besojë te Schjelderup në krahun e majtë, me Prestianni dhe Sudakov pas Pavlidisit. Në mesfushë Barreiro dhe Aursnes, ndërsa në mbrojtje Dahl me dyshen Otamendi–Araujo. Juventusi ka fituar vetëm një herë ndaj Benfikës dhe kërkon të thyejë një tabu historike.
Atalanta–Athletic Bilbao: Palladino luan për ëndrrën
Në Serie A Atalanta është e shtata, por në Champions League efekti Palladino ka qenë i jashtëzakonshëm. Dea ka fituar tri ndeshje radhazi dhe ndodhet mes tetë më të mirave me 13 pikë. Një fitore ndaj Athletic Bilbaos do t’i afronte ndjeshëm zikaltërit me kualifikimin direkt në të tetat, duke i çuar deri në 16 pikë dhe në krye të renditjes.
Athletic Bilbao vjen i përgjysmuar nga mungesat dhe me vetëm 5 pikë, në rrezik eliminimi. Baskët janë pa shumë titullarë, përfshirë vëllezërit Williams, dhe do të mbështeten te Guruzeta në sulm. Atalanta, përkundrazi, rikuperon Djimsitin dhe Lookman, edhe pse ky i fundit pritet të aktivizohet vetëm për disa minuta. Palladino nuk pritet të ndryshojë strukturën e një skuadre që ëndërron historinë.
Ndeshjet e tjera të mbrëmjes
Programi i Champions League ofron edhe sfida të tjera interesante: Bayern Munich pret Union Saint-Gilloise, Barcelona luan në transfertë ndaj Slavia Pragës, ndërsa Liverpool sfidon Marseille në një duel të zjarrtë. Atletico Madrid përballet me Galatasarayn, Chelsea pret Pafos FC, Newcastle luan kundër PSV-së dhe Eintracht Frankfurt viziton Qarabagu, në një mbrëmje që mund të jetë vendimtare për shumë skuadra.
Champions League
18:45 Galatasaray – Atletico Madrid
18:45 Qarabag FK – Eintracht Frankfurt
21:00 Atalanta – Athletic Club
21:00 Bayern Munich – Union St.Gilloise
21:00 Chelsea – Pafos FC
21:00 Juventus – Benfica
21:00 Marseille – Liverpool
21:00 Newcastle United – PSV Eindhoven
21:00 Slavia Prague – Barcelona