Presidenti francez Emmanuel Macron vuan nga një gjendje “beninje” e syrit. Lajmin e konfirmoi vetë ai pasi u shfaq në një takim në Pallatin Elize, dy ditë më parë duke mbajtur një palë syze dielli blu të errëta. Ai u shpjegoi të pranishmëve se do të “detyrohej t’i mbante” syzet për njëfarë kohe.
“Ju lutem më falni” – tha presidenti, “për këto syze, të cilat lidhen me një gjendje beninje. Jam i detyruar t’i mbaj për njëfarë kohe, kështu që do të duhet të më duroni kështu”.
Të enjten, gjatë një vizite në bazën ushtarake Istres në jug, ku kishte mbajtur një fjalim para ushtrisë së mbledhur, Macron u shfaq me një sy të inflamuar të shkaktuar nga një kapilar që ishte gjakosur.
Ai bëri shaka për këtë situatë: “Nuk është asgjë; interpretojeni si një referencë për “syrin e tigrit”. Për ata që janë të njohur me këtë referencë, është një shenjë vendosmërie.”







