Nick Jonas mori një moment për veten gjatë ceremonisë së Golden Globes 2026, pasi një video virale tregoi anëtarin e Jonas Brothers duke dalë për pak kohë jashtë sallës së eventit.
Pamjet, të publikuara nga Parade Magazine, tërhoqën menjëherë vëmendjen e fansave. Një prej tyre shkroi në platformën X: “Ankthi social e mundi.”
Vetë Jonas reagoi ndaj videos, duke komentuar:
“Po… më goditi si një grusht në stomak,” – një referencë direkte ndaj këngës së tij më të fundit, “Gut Punch.”
Në video, këngëtari 33-vjeçar shihet jashtë ceremonisë, duke marrë frymë dhe duke u larguar për pak nga rrëmuja dhe zhurma e eventit. Fansat e mbështetën menjëherë në komente: “Po ia del shkëlqyeshëm, Nick! Edhe unë kam ankth dhe e kuptoj shumë mirë,” shkroi një ndjekës. “Ankthi dhe sulmet e panikut nuk janë shaka,” komentoi një tjetër.
Nick Jonas mori pjesë në ceremoni së bashku me bashkëshorten e tij, Priyanka Chopra, 43 vjeçe, e cila ishte prezantuese e çmimit për aktorin më të mirë në një serial dramatik televiziv. Jonas ishte veshur me një kostum elegant të zi nga Berluti dhe mbante një orë Fossil.
Këngëtari i hitit “Sucker” ka folur më herët hapur për problemet e tij me shëndetin mendor. Në vitin 2023, gjatë një interviste në podcastin “Armchair Expert with Dax Shepard”, ai tregoi se një gabim gjatë një performance në vitin 2016 e çoi drejt terapisë.
“Në retrospektivë mund të qesh me këtë, por atëherë më ndikoi shumë dhe më shtyu të kërkoj ndihmë profesionale,” rrëfeu ai, duke e përshkruar përvojën si “shumë traumatike”.