Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dhe presidenti turk Rexhep Taip Erdogan pritet të zhvillojnë një takim gjatë muajit shkurt, sipas deklaratës së ministrit të Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan.
Gjatë një konference për shtyp, Fidan bëri të ditur se palët janë ende në fazën e përcaktimit të datës së saktë të takimit. Duke iu referuar pritshmërive nga ky takim, ai theksoi, sipas televizionit grek SKAI, se qëllimi është “zgjidhja përfundimtare e çështjeve të Egjeut”, duke përmendur konkretisht ujërat territoriale dhe shelfin kontinental.
Sipas televizionit ANT1, ministri i Jashtëm turk e cilësoi këtë moment si një “mundësi historike” për adresimin e çështjeve të hapura mes dy vendeve.
Në këtë kontekst, Greqia dhe Turqia po rifillojnë zyrtarisht dialogun politik dhe të ashtuquajturën Axhendë Pozitive. Ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë njoftoi se javën e ardhshme do të zhvillohen në Athinë takime të nivelit të zëvendësministrave të jashtëm të të dy vendeve.
Konkretisht, të martën, më 20 janar, në kuadër të raundit të pestë të procesit të Dialogut Politik ndërmjet Ministrive të Jashtme të Greqisë dhe Turqisë, do të mbahen bisedime mes Zëvendësministres së Jashtme të Greqisë, ambasadores Alexandra Papadopoulou, dhe Zëvendësministrit të Jashtëm të Turqisë, ambasadorit Mehmet Kemal Bozay.
Një ditë më pas, të mërkurën, më 21 janar, do të zhvillohet në Athinë raundi i nëntë i bisedimeve të Axhendës Pozitive greko turke, mes Zëvendësministrit të Jashtëm të Greqisë Haris Theocharis dhe homologut të tij turk, ambasadorit Mehmet Kemal Bozay.
Rifillimi i këtyre proceseve diplomatike vjen në një moment kur Athina dhe Ankaraja po përpiqen të stabilizojnë marrëdhëniet dypalëshe dhe të krijojnë një klimë dialogu mbi çështjet strategjike të pazgjidhura, me fokus të veçantë në rajonin e Egjeut.