Rritja e temperaturave dhe ndikimi i rrezeve të diellit në shpatin malor, ka bërë të mundur riaktivizimin e rënies së ortekëve në zonën e tuneleve panoramike në Qafë Thore. Raportohet se si pasojë është bllokuar segmenti rrugor me një gjatësi prej rreth 5.5 km. Ndërkohë, ndërhyrja për pastrim paraqitet e rrezikshme, deri në stabilizimin e borës në shpatin malor. Rreziku mbetet i lartë dhe në këtë mënyrë qarkullimi në Qafë Thore ndërpritet për të gjitha llojet e automjeteve, deri në një njoftim të dytë.
Ndërkohë, probleme me bllokimin e rrugëve ka edhe në disa zona të Bashkisë Kukës. Rruga e fshatrave Cërnalevë, Oreshkë dhe Borje është e bllokuar prej disa ditësh si pasojë e shkarjeve masive të dherave nga reshjet e shiut dhe dëborës. Banorët thonë se rrezikohen të çahen tubat e hidrocentralit që kalojnë mbi disa shtëpi të rrugës Prisuj. Situata paraqitet e rrezikshme për disa familje në fshatin Cërnalevë, ku dherat janë afruar shumë pranë banesave. Rrëshqitja e dheut ka ndodhur 15 metra poshtë tubave të hidrocentralit. Një situatë e tillë s’ka ndodhur kurrë më parë, thonë banorët.
Burimi ku janë vendosur tubat ka shpërndarë burimin e ujit, duke shkaktuar edhe rrëshqitjen e dheut. Si pasojë e prurjeve të shumta të ujit nga reshjet e shiut dhe dëborës të një jave më parë, janë shfaqur shkarje masive dherash, të cilat po afrohen rrezikshëm pranë banesave, duke qenë kërcënim serioz për sigurinë e banorëve. Këta të fundit kanë kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet.