Tirana rikthehet te fitoret në Superiore, duke regjistruar triumfin e dytë këtë sezon. Bardheblutë arritën të mposhtin në transfertë një rival të drejtpërdrejtë si Bylisi me rezultatin 1-0, duke dhënë një sinjal të qartë për mbijetesën.
Në Ballsh, ndeshja u karakterizua nga një luftë e fortë në fushë. Vendasit dominuan manovrën dhe krijuan më shumë raste, ndërsa Tirana qëndroi e organizuar në prapavijë dhe goditi përmes kundërsulmeve.
Në pjesën e dytë erdhi momenti vendimtar: Xhixha fiton një penallti, e cila u shndërrua me sukses nga Rafael, duke vendosur 1-0 në favor të Tiranës. Ky gol i mjaftoi bardhebluve për të siguruar fitoren dhe për të dërguar mesazhin e fortë në luftën për mbijetesë, pas suksesit të mëparshëm në derbin e fazës së parë.