Yield-et e bonove 12-mujore të thesarit u rritën lehtë në ankandin e parë të këtij viti, por duke qëndruar në nivele relativisht të ulëta dhe ende poshtë normës bazë të interesit.
Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar arriti në 2.47%, nga 2.44% që kishte qenë në ankandin e fundit të vitit 2025.
Nga 8.5 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave, vlera totale e kërkesave në ankand arriti në 10.44 miliardë lekë. Por rata apo pjesa e pranuar e ofertave konkurruese ishte përsëri mjaft e ulët, në nivelin 3.11%.
Rritja e yield-eve, sadoqë shumë e lehta, ishte e para që prej mesit të vitit të kaluar.
Tremujori i parë i vitit është ka edhe përqendrimin më të larta të huamarrjes së qeverisë në tregun e brendshëm financiar. Për këtë arsye, në përgjithësi ndodh që yield-et të shënojnë një korrektim të lehtë në rritje krahasuar me nivelet e vitit paraardhës.
Sipas kalendarit të emetimeve të Ministrisë së Financave, për tremujorin e parë 2026 huamarrja e planifikuar do të ketë vlerën e 134 miliardë lekëve, në rritje me 1.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo shumë përbën më shumë se 35% e vlerës totale vjetore të emetimeve të parashikuara në tregun e brendshëm nga qeveria shqiptare.
Megjithatë, në tërësi për vitin 2026, vlera e përgjithshme e huamarrjes së re të parashikuar për t’u financuar në tregun e brendshëm është 45 miliardë lekë, vlerë kjo 10% më e ulët krahasuar me huamarrjen e parashikuar në buxhetin e vitit 2025.
Yield-et e ulëta të titujve qeveritarë dhe sidomos të instrumenteve afatshkurtra ndikojnë edhe koston e kredisë në Lekë për sektorin privat. Duke qenë se kreditë afatgjata në monedhën vendase në përgjithësi kuotohen mbështetur mbi ecurinë e bonove të thesarit, yield-et e ulëta të tyre ndikojnë edhe nivele të ulëta të normave të interesit të kredive.
Megjithatë, ecuria e yield-eve dhe normave të interesit gjatë vitit 2026 do të përcaktohet edhe kursi i politikës monetare që do të ndjekë Banka e Shqipërisë.
Inflacioni bazë erdhi në rritje gjatë vitit 2025, duke forcuar pritshmëritë e Bankës Qendrore për një kthim të inflacionit pranë objektivit prej 3% në pjesën e dytë të vitit 2026. Rritja e inflacionit mund të sjellë një korrektim në rritje të normës bazë të interesit, që sipas vlerësimeve teorike ndodhet poshtë nivelit të saj neutral. /Monitor.al