Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi sot Kubën se duhet të arrijë një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara, përndryshe vendi ishullor nuk do të marrë më naftë apo mbështetje financiare nga Venezuela.
“NUK DO TË KETË MË NAFTË APO PARA QË SHKOJNË NË KUBË – ZERO! E këshilloj fuqimisht që të bëjnë një marrëveshje, PARA SE TË JETË SHUMË VONË,” shkroi Trump në platformën e tij të rrjeteve sociale, Truth Social.
Sipas presidentit amerikan, Kuba ka mbijetuar për disa vite falë sasive të mëdha të naftës dhe parave që vinin nga Venezuela. Ai theksoi se Venezuela është furnizuesi kryesor i naftës për Kubën, por pas arrestimit të Nicolás Maduro nga forcat amerikane, Trump ushtroi presion ndaj presidentes së përkohshme të Venezuelës, Delcy Rodríguez, që nafta venezuelane të dërgohej drejt Shteteve të Bashkuara.
Ndërkohë, shërbimet amerikane të inteligjencës paraqesin një tablo të zymtë të situatës ekonomike dhe politike në Kubë. Megjithatë, sipas një raportimi të Reuters, vlerësimet e tyre nuk mbështesin plotësisht parashikimin e Trump se regjimi kuban është “gati të shembet”. Lajmi citoi tre burime të njohura me vlerësimet konfidenciale.
Sipas qëndrimit të CIA-s, sektorë kyç të ekonomisë kubane, si bujqësia dhe turizmi, ndodhen nën presion të madh për shkak të ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike, sanksioneve tregtare dhe problemeve të tjera strukturore.
Humbja e mundshme e importeve të naftës dhe mbështetjes së mëtejshme nga Venezuela, një aleat i ngushtë i Kubës prej dekadash, mund të përbëjë një goditje serioze për regjimin që drejton vendin që nga revolucioni i udhëhequr nga Fidel Castro në vitin 1959.
Për Kubën, ndërprerja e furnizimit me naftë venezuelane do të kishte pasoja të rënda. Nga janari deri në nëntor të vitit të kaluar, Venezuela dërgonte mesatarisht rreth 27 mijë fuçi naftë në ditë në ishull, duke mbuluar afërsisht 50% të mungesës së naftës së Kubës, sipas të dhënave detare dhe dokumenteve të kompanisë shtetërore venezuelane të naftës, PDVSA.