Roja bregdetare amerikane e ndaloi dhe e kapi cisternën e naftës Marinera, dikur e njohur si Bella 1 – në Atlantikun e Veriut më 7 janar. Ata e ndoqën këtë cisternë për rreth dy javë e gjysmë. Derisa po ndiqej, ajo e ndryshoi flamurin duke e marrë atë rus dhe e siguroi mbështetjen e Moskës.
Madje, sipas raportimeve, ajo u shoqërua edhe nga një nëndetëse ruse.
Kjo shkallë e përfshirjes së Moskës në telashet e një cisterne në anën tjetër të botës nuk është rastësi.
Radio Evropa e Lirë (REL) dhe rrjeti i saj hulumtues, Systema, zbuluan se cisterna është e lidhur me aleatë të vjetër të Kremlinit: ish-deputetin ukrainas, Viktor Baransky, dhe oligarkun moldav në arrati, Ilan Shor.
Deputeti ukrainas dhe kandidatët moldavë
Cisterna Marinera mori leje të përkohshme për të lundruar nën flamurin rus në ditën e katërt të ndjekjes nga SHBA-ja, më 24 dhjetor 2025.
Ajo ndryshoi edhe pronarin: në vend të një kompanie turke nën sanksionet e SHBA-së, pronare u bë firma Burevestmarin nga qyteti perëndimor i Rusisë, Rjazani.
Ajo u regjistrua në korrik të vitit 2025 dhe prej atëherë drejtori i përgjithshëm dhe pronari i vetëm i saj është Ilja Bugaj, 39 vjeç, me origjinë nga Chita. Ai i lexoi pyetjet që “Systema dhe Radio Evropa e Lirë ia dërguan në një aplikacion mesazhesh, por nuk iu përgjigj atyre.
Bugaj drejton gjithashtu shoqërinë me përgjegjësi të kufizuara, Rusneftehimtorg, në Moskë, e cila merret me furnizime karburanti, përfshirë përmes cisternave. Ndër blerësit kryesorë të karburantit të Rusneftehimtorg-ut kanë qenë disa kompani të huaja dhe të gjitha kanë një veçori të përbashkët: ato janë në pronësi të grave që jetojnë në Moldavi.
Të paktën dy gra nga ky grup kanë qenë më parë në vëmendjen e gazetarëve.
Gazeta “Verstka” i quante ato kandidate në perandorinë e flotës në hije të cisternave, pas së cilës qëndron ish-deputeti i këshillit bashkiak të Odesës, Viktor Baranski. Në vitin 2021, strukturat e lidhura me Baranskin dhe holdingun e tij joformal u sanksionuan nga SHBA-ja për transportimin e naftës venezuelase.
System dhe REL-i i dërguan pyetje Baranskyt në Facebook; ai i pa ato, por nuk ktheu përgjigje të menjëhershme.
Kandidatët moldavë nuk janë e vetmja gjë që e lidh Rusneftehimtorg-un me konglomeratin e Viktor Baranskyt. Firma e drejtuar nga Bugaj ka përdorur një cisternë nga flotilja e supozuar e Baranskyt dhe ka tregtuar me një kompani të afërt me holdingun joformal të ish-deputetit.
Megjithatë, te Rusneftehimtorg-u mund të dallohen edhe lidhje të tjera.