Reshjet e shiut do të vijojnë edhe deri të enjten. Sipas Institutit të Gjeoshkencave, reshje intensive priten deri nesër paradite.
“Do të vazhdojë të jetë kritike për shkak të intensitetit të shtuar të reshjeve. Ato kryesisht janë të fokusuara në veri dhe në jug të vendit. Ndërsa në qarkun e Gjirokastrës dhe të Vlorës presim që të kemi reshje intensive dhe lokalisht shkojnë shumë intensive”, u shpreh Anira Gjoni, specialiste e IGJEO.
Në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshkitje të dherave. Situata problematike do të vijojë edhe në qarkun e Durrësit.
Sipas llogaritjeve hidrologjike të IGJEO-s, si rezultat i reshjeve me intensitet të lartë do të ketë rritje të rrezikshme të prurjeve dhe niveleve në lumenjtë e vendit. Më problematikë situata do të paraqitet në lumenjtë Drin-Buna dhe Liqenin e Shkodrës.