Nuk ka dritë për Burnley, i mposhtur 2-0 në shtëpinë e Brighton. Broja nga minuta e parë (u zëvendësua në minutën e 64’) nuk arriti të bëjë dot shumë, ndërsa miqtë nuk fitojnë prej 11 javësh. Fitore e rëndësishme e Aston Villa 3-1 ndaj Forest dhe e Wolves që mposht 3-0 West Ham.
ASTON VILLA 3-1 NOTTINGHAM FOREST
Aston Villa e drejtuar nga Unai Emery është tani vetëm tre pikë pas kryesuesve të tabelës, Arsenal, që luajnë ndaj Bournemouth në ndeshjen e fundit të ditës. Seria prej 11 fitoresh radhazi e Villas në të gjitha kompeticionet u ndal brutalisht me humbjen 4-1 në “Emirates Stadium” të martën, duke ngritur dyshime mbi aftësinë e tyre për të mbajtur ritmin në garën për titull. Megjithatë, rekordi i shkëlqyer në “Villa Park” mbetet i paprekur — tashmë kanë fituar 11 ndeshje radhazi aty që nga humbja 3-0 ndaj Crystal Palace në gusht. Sulmuesi i Anglisë, Ollie Watkins, i dha Villians një avantazh të merituar në prag të pushimit, me një goditje të fuqishme nga pak jashtë zonës.
John McGinn dyfishoi epërsinë e vendasve herët në pjesën e dytë, përpara se Morgan Gibbs-White t’i jepte Forest shpresë për një pikë të pamundur. Por mesfushori skocez McGinn shënoi golin e tij të dytë në ndeshje nga distanca, pas një gabimi të pashpjegueshëm të portierit të Forest, John Victor, i cili doli nga zona pa arsye. McGinn përfitoi nga pasimi i gjatë i Youri Tielemans, mbeti i qetë, anashkaloi portierin dhe e dërgoi topin në rrjetën bosh. Fitorja e çon Villan në 42 pikë, tre pas Arsenal kryesues dhe një përpara Manchester City, që pret Chelsea pa trajner të dielën.
WOLVES 3-0 WEST HAM UNITED
Wolves siguruan më në fund fitoren e parë në Premier League këtë sezon në përpjekjen e 20-të, duke kaluar lehtësisht West Ham në vështirësi në “Molineux”. Kjo ishte fitorja e parë e Rob Edwards si trajner i Wolves dhe triumfi i parë në kampionat që nga suksesi ndaj Leicester City më 26 prill 2025. Me këtë fitore, skuadra e fundit në renditje dyfishoi pikët e sezonit në gjashtë, falë golave të pjesës së parë nga Jhon Arias, Hwang Hee-chan dhe Mateus Mane.
Një West Ham zhgënjyes nuk arriti të reagojë pas pushimit dhe mbetet në vendin e 18-të me 14 pikë — katër më pak se Nottingham Forest mbi ta. Me dy nga mbrojtjet më të dobëta të kampionatit në fushë, golat dukeshin të pashmangshëm dhe u deshën vetëm katër minuta që vendasit të kalonin në avantazh. Hwang depërtoi në zonë dhe kaloi Konstantinos Mavropanos, përpara se të pasonte pas për Arias i pambuluar, i cili shënoi nga gjashtë metra — goli i parë i kolumbianit me fanellën e Wolves.
Goli i shpejtë i dha besim skuadrës vendase, e cila fitoi një penallti kur Mane u godit nga këmba e lartë e Soungoutou Magassa. Hwang e dërgoi penalltinë drejt e në qendër për 2-0 në minutën e 31-të, përpara se Mane të shënonte golin e tretë dhjetë minuta më vonë. Pa asnjë mbrojtës të West Ham që ta mbyllte, 18-vjeçari Mane goditi fort nga jashtë zone dhe mposhti Alphonse Areola në shtyllën e afërt, duke shënuar golin e parë të karrierës së tij si profesionist. Pjesa e dytë ishte më e balancuar, por dëmi i hershëm ishte i pariparueshëm për West Ham, seria pa fitore e të cilit ka arritur në nëntë ndeshje.
BRIGHTON 2-0 BURNLEY
Georginio Rutter dhe Yasin Ayari shënuan golat, ndërsa seria pa fitore e Burnley u zgjat në 11 ndeshje. Brighton & Hove Albion i dha fund një serie prej gjashtë ndeshjesh pa fitore në Premier League me një sukses 2-0 ndaj Burnley në “Amex Stadium”. Rutter dhe Ayari ishin vendimtarë për skuadrën e Fabian Hürzeler, e cila u ngjit në gjysmën e sipërme të tabelës pas rikthimit te fitoret. Të dy lojtarët u përfshinë në golin e parë pak para gjysmë ore lojë, me goditjen e Ayari që u devijua drejt Rutter, i cili realizoi me forcë.
Ayari më pas përfitoi nga mbrojtja e dobët e kundërshtarëve herët në pjesën e dytë për ta mbyllur përfundimisht ndeshjen. Brighton ngjitet në vendin e tetë, ndërsa skuadra e Scott Parker, seria pa fitore e së cilës shkon në 11 ndeshje, mbetet e 19-ta dhe gjashtë pikë larg shpëtimit.
Premier League England
Aston Villa 3-1 Nottingham Forest
Brighton 2-0 Burnley
Wolves 3-0 West Ham United