Qeveria merr vendimin: 15 mijë lekë bonus edhe për familjet në nevojë

Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave ka vendosur të shpërblejë në masën 15 mijë lekë (të reja) me rastin e festave të fundvitit familjet dhe individët që trajtohen me ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuara, të verbërit, paraplegjikët dhe tetraplegjikët, si dhe ndihmësit personalë të përfituesve të pagesave të aftësisë së kufizuar.

V E N D I M PËR MBËSHTETJEN FINANCIARE TË DISA KATEGORIVE TË VEÇANTA, PËR VITIN 2025

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përfitojnë mbështetje financiare për vitin 2025, në masën 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë, kategoritë e mëposhtme:

a) Familjet dhe individët, që trajtohen me ndihmë ekonomike sipas nenit 7, të ligjit nr.57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, përfshirë edhe ata që përfitojnë nga fondi shtesë mbi fondin e kushtëzuar për ndihmën ekonomike;

b) Fëmijët pa kujdes prindëror, të vendosur në familje kujdestare;

c) Personat me aftësi të kufizuara, sipas shkronjave “b” dhe “c”, të nenit 8, të ligjit nr.57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;

ç) Individët përfitues të statusit, sipas ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Statusi i invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar;

d) Individët përfitues të statusit, sipas ligjit nr.8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar;

dh) Ndihmësit personalë të përfituesve të pagesave të aftësisë së kufizuar, sipas shkronjave “c”, “ç” dhe “d”, të kësaj pike.

2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, llogariten në shumën 2 227 500 000 (dy miliardë e dyqind e njëzet e shtatë milionë e pesëqind mijë) lekë dhe përballohen nga buxheti i akorduar për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, për vitin 2025.

3. Mbështetjet financiare të patërhequra parashkruhen pas datës 30.6.2026.

4. Ngarkohet Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top