Në mbledhjen e fundit për këtë vit qeveria ka miratuar dhënien e pensionit të posaçëm shtetëror për disa emra të njofur në fusha të ndryshme si në art, sport, etj.
Një pension sa 10-vishi i pensionit social do të përfitojnë aktori i humorit Agim Bajko, futbollisti Agustin Kola, aktorja Aishe Stari, basketbollistja Edera Alibegaj, aktori dhe regjisori Kostandin Kamberi, sportisti Kostandin Shkurti, violonçelisti Kujtim Vorpsi, peshëngritësi Leonard Toska, regjisori Nikolin Gurakuqi, futbollisti Rapo Tao, aktorja Shegushe Bebeti, futbollisti Vasillaq Ruci dhe avokati dhe arbitri Virxhil Karaja.
Pensioni i posaçëm jepet nga qeveria për personalitetet më të spikatura në vend. Vlera e këtij pensioni shkon në rreth 80 mijë lekë të reja. Në të gjithë vendin janë rreth 200 personalitete të fushave të ndryshme, që përfitojnë pensionin e posaçëm.