Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka denoncuar se Agjencia Kombëtare e Shërbimit të Informacionit ka shtrirë tentakulat edhe në Kadastrat e vendit.
Në një komunikim me gazetarët, kryedemokrati deklaroi se “Edi Rama, prej pothuaj një viti, ka bllokuar kadastrën nga çdo lloj kontrolli”.
Sipas tij, ‘Rama ka dërguar këshilltarët e tij banditë për të kërcënuar në mënyrë mafioze drejtues institucionesh që kanë për detyrë kontrollin në emër të shtetit shqiptar’.
“Por sot duhet të informoj shqiptarët se kthetrat e zeza të AKSHI-t, në fakt të Edi Ramës nëpërmjet AKSHI-t, janë shtrirë si tentakula në kadastrat e vendit. Edi Rama, prej pothuaj një viti, ka bllokuar kadastrën nga çdo lloj kontrolli. E ndaluar. Dhe për të bllokuar kadastrën ndaj çdo lloj kontrolli, Edi Rama ka përdorur jo vetëm urdhrin ndaj atyre punonjësve, por Edi Rama ka dërguar këshilltarët e tij banditë për të kërcënuar në mënyrë mafioze drejtues institucionesh që kanë për detyrë kontrollin në emër të shtetit shqiptar. Çka tregon se Rumi i vërtetë i kadastrës është Edi Rama me Ergys Agasin dhe bandën e tij. Rumi është lule me ato që ka kryer Edi Rama me Ergys Agasin dhe bandën e tij në pronat e shqiptarëve, në pronat e shtetit shqiptar në tërësi dhe në veçanti në brigjet e Jonit. Afera e AKSHI-t është afera më multidimensionale që ka shpërthyer ndonjëherë. Te kryebanditi Ergys Agasi, koordinatori privat i Edi Ramës, faleshin ministra, janë të regjistruar, zyrtarët më të lartë të shtetit, disa gjykatës, disa skapistë dhe të tjerë. Faktikisht zyra e Ergys Agasit ishte zyra e kryeministrit në hije të Shqipërisë protektorat krimi”, tha Berisha.
Po ashtu, Sali Berisha tha se baxhanaku i Edi Ramës, Armand Frangu ka marrë 93 përqind të tenderave të AKSHI-t me prestanome.
“Aferat janë të panumërta të këtij viti, por afera më e zezë e të gjitha të zezave është AKSHI i familjes Rama. Është AKSHI i kësaj familje, dhe duhet të mësojnë shqiptarët një të vërtetë këtu. Gjer dy vite më parë, fituesi i të gjitha tenderave de facto ishte Armand Frangu, kunati i Linda Ramës, baxhanaku i Edi Ramës. Por pas zbulimit, pas regjistrimit, pas vërtetimit të ndërhyrjes së bashkëshortes së kryeministrit, u veprua me prestanome dhe 93 përqind të të gjitha tenderave të kopshtit privat të Edi Ramës fitoheshin nga dy kompani, të dyja në fakt kompani të Armand Frangut. Kompania e Ermal Beqirit dhe Ergys Agasit. Kompani të cilat siguruan fitime përrallore pa bërë, njëlloj si në djegësin e Tiranës, asnjë tullë, asnjë veprim. A mund të imagjinoni ju një kompani që regjistrohet me 1 mijë euro dhe përfundon pas 4 muajsh me dhjetëra milionë euro në kontot e saj bankare duke pasur si shpenzim të vetëm rrogat e dy punonjësve? Asnjë import, asnjë blerje, asnjë shitje, asnjë aktivitet përveçse vjedhjes për llogari të Edi Ramës dhe Armand Frangut. Edi Rama përsëri në një akt in ekstremis, u tha shqiptarëve se unë kur vjedh, nuk vjedh, por përdor, marr në përdorim. Se kur foli Lubinë bis të AKSHI-t, ai tha se ajo akuzohet se ka përdorur paratë. Në të vërtetë, Edi Rama me Lindën e tij të AKSHI-t dhe të Surrelit, kanë përvetësuar qindra e qindra milionë euro nëpërmjet prestanomeve, banditëve si Ergys Agasi, Ermal Beqiri, etj”, deklaroi Berisha.