Trump përshkallëzon gjithnjë e më shumë masat/ Venezuela në fokus të gjeopolitikës

SHBA-të kanë sulmuar një objektiv në territorin e Venezuelës për herë të parë. Presidenti Trump u tha gazetarëve se kishte pasur një shpërthim në një zonë portuale ku trajtohej droga. Trump nuk dha detaje të mëtejshme, siç është vendndodhja e saktë apo viktimat e mundshme. CNN njoftoi, se CIA ka kryer një sulm me dron dy javë më parë. Trump e përmendi për herë të parë sulmin disa ditë më parë në një podcast, pa dhënë ndonjë detaj.

Prej javësh prania e armatës detare amerikane në Karaibe është kërcënuese për Venezuelën. Anijet luftarake nuk kanë në shënjestër vetëm anijet e dyshuara të drogës, por edhe cisternat e naftës që nga dhjetori i vitit 2025. Ndërsa ekspertët kanë qëndrime të ndryshme mbi rolin e Venezuelës në tregtinë e drogës, ekziston konsensus për rëndësinë e eksporteve të naftës për këtë vend të Amerikës së Jugut: Venezuela, e cila po përballet me vështirësi ekonomike, është vendi me rezervat më të mëdha të njohura të naftës në botë. Në total, më shumë se 300 miliardë fuçi nafte gjenden aty.

Këto burime natyrore ka të ngjarë të luajnë një rol në të gjitha strategjitë e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i cili mbështet naftën si burim energjie. Por ato janë gjithashtu si lubrifikant për politikën e jashtme të Presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro. Megjithatë, konflikti në rritje mbi Venezuelën nuk mund të shpjegohet vetëm me naftën; në lojë janë edhe shumë interesa të tjera, në lojë janë edhe interesat e dy fuqive të tjera të mëdha, Kinës dhe Rusisë, të cilat ndjekin qëllimet e tyre ashtu si SHBA.
Cilat janë qëllimet gjeopolitike të Kinës në Venezuelë?

Nafta nga Venezuela përbën vetëm katër përqind të importeve të naftës në Kinë, por tendenca është në rritje: Reuters citon dy analistë të tregut që parashikonin vëllime të reja rekord ditore në dhjetor. Sipas këtyre analistëve, Kina pritet të importojë më shumë se 600.000 fuçi në ditë nga Venezuela, duke përfaqësuar shumicën e prodhimit të përditshëm të Venezuelës. Venezuela është veçanërisht e rëndësishme për Kinën si burim nafte, kryesisht për të forcuar pavarësinë e saj energjetike në luftën globale për lëndë të para. E kjo funksionon veçanërisht mirë me naftën Merey të Venezuelës, pasi ajo është subjekt i sanksioneve perëndimore.

Në këmbim paraja kineze rrjedh në Venezuelë, edhe në formën e kredive. Vlerësime të ndryshme e çojnë borxhin e Karakasit ndaj Pekinit tek rreth 60 dhe 70 miliardë dollarë amerikanë. Venezuela është gjithashtu treg për teknologjinë kineze: shumë mallra ushtarake vijnë nga Kina, dhe infrastruktura e telekomunikacionit bazohet kryesisht në komponentë kinezë. Në shtator, Maduro prezantoi një telefon të ri celular Huawei në një konferencë për shtyp në Karakas, ku shtoi, se Presidenti kinez Xi Jinping i kishte dhënë personalisht “telefonin më të mirë në botë” dhe se ishte e pamundur që agjencitë amerikane të inteligjencës ta hakonin atë.

Socializmi autoritarist-nacionalist i Venezuelës pajtohet mirë me ideologjinë shtetërore kineze. Duke dënuar verbalisht veprime si konfiskimi i fundit i cisternave të naftës, Pekini mund ta paraqesë veten si një aleat dhe ta mbajë SHBA të angazhuar në “oborrin” e vet.

Prej më shumë se një dekade, presidentë të ndryshëm amerikanë e kanë përqendruar më shumë vëmendjen në Indo-Paqësor – ku Pekini gjithashtu përpiqet për dominim dhe po shfaq gjithnjë e më shumë pretendime agresive ndaj Tajvanit. Kur SHBA përqendrohen më shumë në Venezuelë ose Kubë kjo i shërben Kinës.

Interesat ruse në Venezuelë

Edhe Moska ka të ngjarë të ketë interes të ushtrojë ndikim nëpërmjet aleatëve në Amerikën Latine dhe në këtë mënyrë të sfidojë hegjemoninë e SHBA-së. Në vitin 2001, Putin priti për herë të parë Presidentin e atëhershëm të Venezuelës, Hugo Chávez. Më pas, Rusia u bë furnizuesi më i madh i armëve i Venezuelës. Venezuela në vitin 2009 gjatë luftës së Putinit në Gjeorgji, njohu rajonet separatiste të Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë si shtete të pavarura (së bashku me Nikaraguan dhe Naurunë). Pas vdekjes së Chávez në vitin 2013, Maduro kërkoi të mbante lidhje të ngushta me Rusinë.

Kur pushteti i tij ishte nën kërcënim të menjëhershëm në vitin 2019 dhe Presidenti i atëhershëm i Asamblesë Kombëtare, Juan Guaidó, e paraqiti veten si fitues i zgjedhjeve dhe kryetar i përkohshëm legjitim i shtetit, ai mori mbështetje nga SHBA-të vetëm pak minuta më vonë: Trump, që në mandatin e tij të parë, e pa këtë si një mundësi për të hequr qafe Maduron. Por më pas Rusia dërgoi dy aeroplanë ushtarakë me ushtarë dhe pajisje ushtarake në bord.

“Moska në thelb e shpëtoi Maduron”, tha së fundmi në një intervistë për DW Vladimir Rouvinski, studiues i shkencve politike në Universitetin Icesi në Kolumbi. “Për herë të parë që nga Kriza e Kubës, SHBA-të u ndjenë të detyruara të negocionin një situatë në Amerikën Latine drejtpërdrejt me Rusinë.” Megjithatë, Rouvinski nuk pret një mbështetje po aq vendimtare ruse për Maduron në përballjen aktuale. Deri më tani, Moska ka ofruar vetëm mbështetje verbale.

Po SHBA?

Në një postim në mesin e dhjetorit në Truth Social, Trump kërkoi që Venezuela të kthejë të gjithë “naftën, tokën dhe asetet e tjera që na i vodhën më parë” – duke iu referuar shpronësimeve të kryera gjatë shtetëzimit të industrisë së naftës së Venezuelës në vitin 2007, për të cilat jo të gjitha kompanitë amerikane u kompensuan. Vetëm Chevron mbeti aktive në vend sipas një marrëveshjeje të veçantë.

Dukshëm më fitimprurës për korporatat amerikane është prodhimi i naftës në Guajanën fqinje. Por rajoni kufitar i saj, Essequibo, pretendohet nga Venezuela. Pra, ekzistojnë dy argumente në favor të largimit me forcë të Maduros, duke pasur parasysh interesat amerikane të naftës.

Gjatë mandatit të tij të parë, Trump i zgjeroi ndjeshëm sanksionet e vendosura nga paraardhësi i tij, Barack Obama, sprova e parë e përballjes me Maduron. Këshilltari i tij i atëhershëm për sigurinë kombëtare, John Bolton, e përshkroi Venezuelën, së bashku me Kubën dhe Nikaraguanë, si “Trekëndëshi i Terrorit”. Bolton u shkarkua nga Trump kur mbështetja për Juan Guaidon doli e pafrytshme. Tani Trump po e ndjek qëllimin e tij për një ndryshim pushteti në Venezuelë më me vendosmëri se kurrë më parë./DW

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top