Zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë kanë prodhuar një realitet të qartë politik: Lëvizja Vetëvendosje është forca dominuese, ndërsa opozita del e fragmentuar, pa narrativë dhe pa një projekt bindës alternativ.
Me mbi 98% të votave të numëruara, sipas rezultateve paraprake, LVV-ja e Albin Kurtit është shumë pranë, madje në kufijtë e rezultatit historik të 14 shkurtit 2021, kur kishte arritur 50.2%, duke e konfirmuar veten si forca e vetme politike me mbështetje të gjerë popullore në vend. Rezultati final do të zbulojë edhë nëse kësaj radhe, ndryshe nga zgjedhjet e fundit, Kurti do të arrijë të krijojë qeverinë i vetëm, apo do ti duhet koalicion, çka rrezikon ta fusë vendin në një spirale tjetër të pambarimtë politike. Kujtojmë se me 42% që LVV mori zgjedhjet e fundit, pamundësia për të gjetur gjuhën me një nga partitë e opozitës e la vendin 10 muaj pa qeveri dhe shkaktoi këto zgjedhje të parakohshme të 28 dhjetorit.
“Fitoi populli dhe Republika”
Në daljen e tij publike pas mbylljes së procesit zgjedhor, Albin Kurti e interpretoi rezultatin si një fitore që shkon përtej partisë:
“Më 9 shkurt fitoi LVV-ja me partnerët, më 28 dhjetor fitoi populli i Kosovës dhe Republika”.
Një deklaratë që nuk synon vetëm festimin e rezultatit, por legjitimimin politik të pushtetit, në një moment kur LVV-ja jo vetëm nuk është konsumuar nga qeverisja, por ka shtuar nivelin e mbështetjes nga zgjedhjet e fundit të shkurtit 2025, pas të cilave Kosova nuk ka pasur as qeveri.
Kurti theksoi se procesi duhet të ecë shpejt drejt certifikimit të rezultateve dhe krijimit të institucioneve të reja, duke sinjalizuar se nuk ka hapësirë për vakuum politik apo negociata të gjata.
Opozita: mes rënies dhe dorëheqjeve të mundshme
Në krahun tjetër, opozita duket e ka pranuar faktin politik.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas numërimit të mbi 90% të votave, pranoi publikisht se nuk e ka çuar LDK-në aty ku synonte, duke e quajtur rezultatin verdikt të qytetarëve.
LDK-ja, e cila në shkurt 2021 kishte arritur mbi 18%, këtë herë zbret rreth 13–14%, duke humbur terren dhe rol politik. Abdixhiku madje la të hapur mundësinë e dorëheqjes, duke deklaruar se kjo çështje do të diskutohet në Kuvendin e partisë.
Edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ndonëse rritet krahasuar me zgjedhjet e kaluara, mbetet larg çdo mundësie reale për të sfiduar LVV-në, duke u pozicionuar rreth 21%, si forcë e dytë, por jo si alternativë qeverisëse.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vazhdon rënien graduale, ndërsa Lista Serbe ruan peshën e saj minimale, pa ndikim në lojën e madhe politike.
Një mandat me agjendë të rëndë ekonomike dhe institucionale
Kurti e shfrytëzoi fitoren edhe për të vendosur kornizën e mandatit të ri. Sipas tij, legjislatura që vjen përballet menjëherë me: Planin e Rritjes së BE-së, me vlerë 880 milionë euro; Tri marrëveshje me Bankën Botërore, që në total tejkalojnë 1 miliard euro; dhe nevojën për bashkëpunim parlamentar për marrëveshje ndërkombëtare dhe ligje kyçe.
Në këtë kuadër, Kurti ftoi partitë opozitare për bashkëpunim në Kuvend, por jo për ndarje pushteti. Mesazhi ishte i qartë: bashkëpunim institucional, jo negociim politik mbi legjitimitetin e qeverisjes.
Presidenti, testi i parë i bashkëpunimit
Një nga temat e para që pritet të testojë marrëdhënien qeveri–opozitë është zgjedhja e presidentit të ri, me mandatin e Vjosa Osmanit që përfundon në mars.
Kurti shmangu çdo angazhim të parakohshëm, duke theksuar se kjo çështje do të diskutohet me opozitën, por vetëm pas certifikimit të rezultateve dhe në kuadër të funksionimit normal institucional.
“Negocimi dhe dhënia janë dy gjëra të ndryshme”, tha Kurti, duke sinjalizuar se dialog do të ketë, por jo lëshime politike.
Stabilitet politik? Opozitë pa busull!
Zgjedhjet e 28 dhjetorit konfirmuan një realitet që prej kohësh është i dukshëm: Kosova ka një forcë politike dominuese dhe një opozitë të fragmentuar, që ende nuk ka gjetur gjuhë, ide dhe lidership për të sfiduar pushtetin.
Për Kurtin, kjo është një fitore e madhe politike. Për opozitën, është një moment reflektimi të dhimbshëm. Dhe për Kosovën, një mandat tjetër me stabilitet, por edhe me përgjegjësi të rënda ekonomike dhe institucionale.