Profil: Brigitte Bardot, bomba bjonde që revolucionalizoi kinemanë

Brigitte Bardot, e cila ka ndërruar jetë këtë të dielë në moshën 91 vjeçare, ka lënë shenja në ekranin e kinemasë sepse përmbysi mënyrën e ngurtë se si kinematografia e viteve 1950 e portretizonte gruan, duke u shndërruar në simbolin e një epoke të re të çlirimit seksual.

Në ekran, ajo ishte një koktej francez hijeshie lozonjare dhe sensualiteti kontinental. Një herë një gazetar e quajti “princesha e buzëve provokuese dhe kontesha e ftesës së joshjes”, një imazh që ajo vetë më vonë do ta urrente.

E promovuar pa mëshirë si simbol hedonist seksi, Bardot u ndje e zhgënjyer në ambicien e saj për t’u marrë seriozisht si aktore. Më në fund, ajo e braktisi karrierën për t’iu përkushtuar mbrojtjes së të drejtave të kafshëve.

Vite më pas, reputacioni i saj u dëmtua rëndë kur ajo bëri deklarata homofobe dhe u gjobit disa herë për nxitje të urrejtjes racore. Djali i saj e paditi për dëme emocionale, pasi ajo kishte thënë se do të kishte preferuar “të sillte në jetë një klysh qeni”.

Ky konflikt me të birin la një vragë në memorien e ikonës që, në kulmin e saj, vuri në hartë bikinin, dëshirën femërore dhe kinemanë franceze.

Bardot ndihmoi që bikini të pranohej më lehtësisht në shoqërinë franceze

Brigitte Anne Marie Bardot lindi në Paris më 28 shtator 1934.

Ajo dhe motra e saj, Marie Jeanne, u rritën në një apartament luksoz në distriktin më të shtrenjtë të qytetit.

Prindërit e saj katolikë ishin të pasur dhe të devotshëm, dhe kërkonin standarde të larta nga fëmijët e tyre.

Miqësitë e vajzave kontrolloheshin rreptësisht. Ata kanë treguar se në një rast, kur thyen vazon e preferuar të prindërve, u ndëshkuan me kamxhik.

Prindërit donin që Brigitte Bardot të bëhej një balerinë

Gjatë pushtimit gjerman të Parisit në Luftën e Dytë Botërore, Bardot e kaloi pjesën më të madhe të kohës në shtëpi, duke kërcyer me muzikën që luhej në disqet e gramafonit.

Nëna e saj e inkurajoi këtë interes dhe e regjistroi në kurse baleti që në moshën shtatëvjeçare.

Mësuesi i saj në Konservatorin e Parisit e përshkroi si nxënëse të jashtëzakonshme, dhe ajo fitoi disa çmime.

Jeta e një “jeune fille”

Por Bardot kuptoi se kjo jetë për të ishte mbytëse. Në moshën 15 vjeçare, ajo do të kujtonte më vonë, “po kërkoja diçka tjetër, diçka më përmbushëse për veten”.

Një mik i familjes e bindi të pozonte për kopertinën e revistës Elle, revista kryesore për gratë në Francë, dhe fotografitë u shndërruan menjëherë në sensacion.

Fotografitë e para të Brigitte ndryshuan stilin e modës në Francë dhe konceptin për të bukurën

Në atë kohë, modelet kishin flokë të shkurtër, kombinonin me kujdes aksesorët dhe vishnin xhaketa të qepura me finesë dhe fustane mbrëmjeje prej mëndafshi.

Ndërsa flokët e Brigitte rridhnin lirshëm mbi supe. Me trupin e hollë dhe atletik të balerinës, ajo nuk ngjante aspak me modelet e tjera.

E fotografuar me veshje të reja dhe moderne, ajo u bë personifikimi i stilit të ri “jeune fille”, vajza e re.

Në moshën 16 vjeçare, ajo ishte vajza më e famshme e kopertinave në Paris.

Fotografitë e saj tërhoqën vëmendjen e regjisorit Marc Allégret, i cili i kërkoi asistentit të tij, Roger Vadim, ta gjente.

Brigitte ishte e magjepsur pas regjizorit Roger Vadim

Daljet e para në ekran nuk patën sukses, por Vadim, gjashtë vjet më i madh se Brigitte, vazhdoi ta promovonte në fillim si të përkëdhelurën e tij dhe më pas si të fejuarën e tij.

Ata nisën një lidhje intensive, por kur prindërit e Bardot e zbuluan, kërcënuan ta dërgonin në Angli.

Roger Vadim e ndihmoi shumë gruan e tij adoleshente të niste karrierën e saj në kinema
Roger Vadim e ndihmoi shumë gruan e tij adoleshente të niste karrierën e saj në kinema

Roger Vadim, “ujku i egër” i saj

Si reagim ndaj kërcënimit të prindërve, ajo tentoi vetëvrasjen, por u zbulua dhe u shpëtua në momentin e fundit.

Brigitte ishte e dashuruar marrëzisht pas regjisorit të ri.

Ai i dukej si një “ujk i egër”.

“Ai më shikonte, më frikësonte, më tërhiqte dhe nuk dija më ku isha”, shpjegoi ajo më vonë.

Bardot and Vadim në ditën e tyre të martesës, në Kishën e Passy, Paris, 12 Dhjetor 1952. Vadim i shiti fotot e ceremonisë tek një revistë e Parisit
Bardot and Vadim në ditën e tyre të martesës, në Kishën e Passy, Paris, 12 Dhjetor 1952. Vadim i shiti fotot e ceremonisë tek një revistë e Parisit

Nën këtë presion, prindërit u dorëzuan, por i ndaluan të martoheshin deri sa Brigitte të mbushte 18 vjeç.

Sapo e kaloi këtë afat, çifti iu drejtua altarit.

Shndërrimi në ikonë

Vadim filloi ta menaxhonte Bardot për ta bërë shndërruar atë në yllin që ai besonte se ajo mund të bëhej.

Ai shiti fotografitë e dasmës së tyre tek Paris Match dhe e mësoi se si të sillej në publik.

E ndihmoi të gjente role të vogla në rreth një duzinë filmash të vegjël, zakonisht duke luajtur personazhe të vajzave  që sillnin në ekran dashurinë femërore, por ishin njëkohësisht të pafajshme dhe joshëse.

Por deri në vitin 1956, ajo ishte kryesisht e famshme për pozat e saj me bikini, një veshje e ndaluar atëherë në Spanjë, Itali dhe në pjesën më të madhe të SHBA për shkak se konsiderohej në kufijtë e dekadencës, por edhe për fotot e saj me modelin e flokëve në stilin “beehive”, disi më të çlirët.

Pastaj erdhi peroksidi, zbardhuesi i flokëve që e shndërroi atë në një bjonde të parezistueshme dhe i dhuroi rolin që e bëri yll.

Atë vit, filmi i parë i Vadim, “Dhe Zoti krijoi gruan”, u shfaq në Paris. Dështoi financiarisht në Francë, por shkaktoi stuhi në Shtetet e Bashkuara.

Bardot provokoi një stuhi në SHBA me filmin Dhe zoti krijoi gruan
Bardot provokoi një stuhi në SHBA me filmin “Dhe zoti krijoi gruan”

Në një vend të mësuar me Doris Day, Bardot ishte një tronditje.

Personazhi i saj ndjek dëshirat seksuale pa turp, njësoj siç bëjnë burrat. Ajo kërcen zbathur në një gjendje transi, me lëkurën që i shkëlqen nga djersa dhe flokët e lëshuara lirshëm.

Mungesa e frenave dhe turpit tek ajo shkakton kolapsin e rendit shoqëror; jashtë kinemasë reagimi ishte po aq i fortë.

Filozofja ekzistencialiste Simone de Beauvoir e përgëzoi atë si ikonë të “lirisë absolute”, duke e ngritur imazhin e Brigitte në nivel filozofik.

Por shumica moralizuese e amerikanëve u mobilizua. Filmi u ndalua në disa shtete dhe gazetat e dënuan atë si një vepër të degjeneruar.

Për publikun, Bardot si aktore u bë e pandashme nga personazhi që luante. Paris Match e etiketoi si “imorale nga koka te këmbët”.

Kur Bardot u arratis bashkë me partnerin e saj në film, aktorin Jean Louis Trintignant, imazhi i saj si një femër libertine e shfrenuar u bë i pashmangshëm.

Filozofët ekzistencialistë e përgëzuan Brigitte si një ikonë e lirisë absolute
Filozofët ekzistencialistë e përgëzuan Brigitte si një ikonë e lirisë absolute

Ajo u divorcua nga Vadim, i cili reagoi në mënyrën tipike franceze.

“Unë preferoj më mirë të kem një grua të tillë”, tha ai, “edhe duke e ditur që është e pabesë, sesa të kem një grua që më do vetëm mua dhe askënd tjetër”.

Ai vazhdoi të punonte me Bardot, dhe më pas jetoi me Catherine Deneuve dhe u martua me Jane Fonda.

Nënë pa dëshirë

Në vitin 1959, Brigitte, pas disa lidhjeve dashurie, u martua me aktorin Jacques Charrier, me të cilin luajti në “Babette shkon në luftë”.

Çifti pati një djalë, Nicolas, por Bardot e urrente shtatzëninë: shpesh e godiste veten në bark dhe i lutej mjekut për morfinë që të shkaktonte abort.

“E shikoja barkun tim të sheshtë dhe të hollë në pasqyrë si një mik të dashur mbi të cilin po mbyllja kapakun e arkivolit”, do të shkruante më vonë.

Bardot nuk e donte shtatzaninë e saj dhe më vonë u padit në gjyq nga i biri për dëmet emocionale

Pas divorcit të pashmangshëm, i biri Nicolas nuk e pa nënën e tij për dekada.

Ai e paditi Bardot për dëme emocionale kur ajo botoi autobiografinë, ku deklaronte se do të kishte preferuar “të sillte në jetë një këlysh qeni”.

Por tashmë Brigitte ishte aktorja më e paguar në Francë, dhe disa sugjeronin se ishte më e vlefshme për tregtinë e jashtme sesa industria franceze e makinave.

Dhe ajo çfarë dëshironte më shumë ishte të merrej seriozisht si aktore. “Nuk kam pasur shumë mundësi të luaj”, ankohej ajo, “kryesisht më është dashur të zhvishem”.

Ajo filloi të tërhiqte vëmendjen e regjisorëve më të respektuar europianë, duke fituar vlerësime kritike në dramën e fuqishme të Valës së Re të Jean Luc Godard, Le Mépris.

Megjithatë, cilësia e filmave të saj mbeti e diskutueshme, sidomos kur punoi jashtë Francës dhe në Hollywood.

Një martesë e tretë me një milioner gjerman u pasua nga një sërë lidhjesh, edhe pse, në mënyrë të pazakontë, ajo refuzoi Sean Connery.

Bardot u lodh nga imazhi i saj si kukull seksi dhe më vonë iu përkushtua kafshëve

Ajo regjistroi dhjetëra disqe, përkrah Serge Gainsbourg dhe Sacha Distel.

Me Gainsbourg regjistroi këngën provokuese “Je t’aime… moi non plus”, (Unë të dua… unë jo më) por iu lut më vonte të mos e publikonte.

Një vit më vonë, ai e regjistroi sërish këngën me aktoren britanike Jane Birkin. U bë një hit i madh në gjithë Europën, ndërsa versioni i Bardot mbeti i fshehur për 20 vjet.

Aktiviste për të drejtat e kafshëve

Pas gati 50 filmash, ajo njoftoi tërheqjen nga kinemaja në vitin 1973 për t’iu përkushtuar plotësisht mbrojtjes së kafshëve.

“Ua dhashë bukurinë dhe rininë time burrave”, tha ajo. “Do t’u jap mençurinë dhe përvojën time kafshëve”.

Ajo mblodhi 3 milionë franga, rreth 300 mijë paund në atë kohë, për të themeluar Fondacionin Brigitte Bardot, duke shitur në ankand bizhuteritë dhe suveniret e saj filmike.

Bardot, ose B.B. siç njihej në Francë, udhëhoqi fushatën kundër gjuetisë vjetore të fokave në Kanada dhe bëri armiq disa bashkatdhetarë të saj francezë duke dënuar konsumimin e mishit të kalit.

U bë vegjetariane, sulmoi qeverinë kineze për “torturimin” e arinjve dhe shpenzoi qindra mijëra për sterilizimin e qenve endacakë në Rumani.

Bardot bëri fushatë kundër vrasjes së fokave dhe tregtisë së gëzofit, mes çështjeve të tjera."
Bardot bëri fushatë kundër vrasjes së fokave dhe tregtisë së gëzofit, mes çështjeve të tjera.”

Një fund i trazuar i një jete të trazuar

Në vitet e fundit, ajo u ndoq penalisht disa herë për nxitje të urrejtjes racore.

Ajo kundërshtoi mënyrën se si besimet islame dhe hebraike therin kafshët për ushqim.

Por mënyra se si i shprehu kritikat ishte e pafalshme dhe e paligjshme.

Në vitin 1999, ajo shkroi se “atdheu im është pushtuar nga një mbipopullim i të huajve, veçanërisht myslimanë”. Kjo i solli një gjobë të rëndë.

Më pas, ajo kritikoi martesat ndërracore dhe fyeu burrat homoseksualë, të cilët, sipas saj, “tunden nga të pasmet, ngrenë gishtin e vogël dhe me zëra të vegjël të kastruar ankohen për atë që u bëjnë heteroseksualët e tmerrshëm”.

Bardot doli aq shpesh në gjykatë sa që, në vitin 2008, prokurori deklaroi se ishte “lodhur” duke e akuzuar.

Bardot dilte aq shpesh në gjykatë sa prokurori deklaroi se ishte lodhur duke i ngritur akuza

Në vitet 1960, Brigitte Bardot u zgjodh si fytyra zyrtare e Marianne, simboli i lirisë franceze.

Më pas, ajo vetë u bë ikonë, një grua e bukur, e çliruar dhe moderne, që refuzoi të ulte kokën para stereotipeve të vjetruara.

Pas tre martesave të dështuara dhe disa tentativave për vetëvrasje, ajo u tërhoq nga dritat e skenës për të luftuar kundër mizorisë ndaj kafshëve. Për habinë e saj, magjepsja e medias për të nuk u ndal.

Ajo lë pas bashkëshortin e saj të katërt, Bernard d’Ormale, ish këshilltar i politikanit të ekstremit të djathtë Jean Marie Le Pen.

Dhe, në fundin e trazuar të një jete të trazuar, pikëpamjet e saj politike bënë që Bardot t’i kalonte vitet e fundit si gjysmë e izoluar, duke u përballur me akuza për nxitje të urrejtjes racore në gjykata./Përshtati nga BBC, Lapsi.al

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top