Bedri Hamza, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidat për Kryeministër ka ushtruar sot të drejtën e votës në Mitrovicë, në kuadër të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Pas votimit, Hamza theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes qytetare dhe rolin vendimtar të votës në ndërtimin e së ardhmes së vendit.
“Sot, ne e përmbushëm obligimin qytetar. Votova si Kandidat për Kryeministër, si prind dhe si qytetar, me besim në të ardhmen e vendit tonë. Vota është përgjegjësi dhe themel i demokracisë. I ftoj të gjithë qytetarët të dalin dhe të votojnë për një qeveri që bashkon, garanton stabilitet, zhvillon ekonominë dhe punon për një të ardhme më të mirë për të gjithë”, – tha ai.
Hamza u bëri thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar, duke theksuar se vetëm përmes pjesëmarrjes aktive mund të ndërtohet një qeverisje e përgjegjshme dhe një e ardhme më e qëndrueshme për Kosovën.