Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i tha sot agjencisë së lajmeve “Axios” se shpreson të arrijë një marrëveshje me Presidentin e SHBA-së Donald Trump mbi kornizën e paqes kur të takohen të dielën. Në këtë kontekst, ai tha se është “gati” të thërrasë një referendum mbi planin e Trump, me kusht që Rusia të bjerë dakord për një armëpushim që zgjat të paktën 60 ditë.
Edhe pse Zelensky theksoi se është bërë përparim i konsiderueshëm, plani i Trump parashikon ende lëshime të dhimbshme territoriale nga Ukraina në lindje të vendit. Presidenti ukrainas po kërkon t’i përmirësojë këto kushte dhe theksoi se do t’i duhet miratimi i popullit ukrainas nëse nuk arrihet një qëndrim “i qartë” për çështjen e territoreve.
Siç thekson shkrimi, fakti që Zelensky tani është i gatshëm të bëjë një referendum dhe të diskutojë çështjen territoriale, konsiderohet nga pala amerikane një hap i rëndësishëm.
Megjithatë, siç vuri në dukje ai në një intervistë telefonike me “Axios”, një proces i tillë do të paraqiste sfida sigurie dhe logjistike. Kjo është arsyeja pse ai e kërkon një armëpushim 60-ditor si “minimumin e domosdoshëm”. Një zyrtar i lartë amerikan i tha “Axios” se rusët e kuptojnë nevojën për një armëpushim në rast të një referendumi, por duan një afat kohor më të shkurtër.
Zelensky shtoi se ende nuk ishte e qartë nëse Rusia ishte e gatshme të pranonte planin e Trump. “Kam disa informacione, por jam në një moment kur dua t’u besoj vetëm fjalëve të udhëheqësve”, tha ai.
Fjalët e Zelensky vijnë dy ditë para takimit të tij të planifikuar me Trump në Mar-a-Lago të Floridës. Ai tha se shumica e pikave të marrëveshjeve dypalëshe SHBA – Ukrainë tani janë finalizuar dhe pasqyruar në 5 dokumente, me mundësinë e shtimit të një të gjashti.
Lidhur me çështjen thelbësore të garancive të sigurisë, ai tha se “mendoj se jemi gati me këto dokumente”, megjithëse mbeten disa “detaje teknike”. Njëra prej tyre ka të bëjë me kohëzgjatjen e marrëveshjes. SHBA-të po propozojnë një pakt 15-vjeçar me mundësinë e rinovimit. “Mendoj se na duhet diçka më shumë se 15 vjet”, tha ai, duke shtuar se do ta konsideronte një “sukses të madh” nëse Trump do të binte dakord me të.
Zelensky tha gjithashtu se si SHBA-ja ashtu edhe Ukraina do të sjellin garancitë e sigurisë për ratifikim në parlamentet e tyre përkatëse dhe vlerësoi punën e të dërguarve të Trump, Steve Witkoff, Jared Kushner, si dhe ekipin e tij të drejtuar nga këshilltari i sigurisë kombëtare Rustam Umerov.
Presidenti ukrainas përsëriti se do të donte kushte më të mira për territorin. Por nëse plani kërkon një vendim “jashtëzakonisht të vështirë”, ai beson se zgjidhja më e mirë do të ishte që i gjithë plani me 20 pika të vihej në një referendum.
Ai e krahasoi një proces të tillë me referendumin e Brexit-it në Mbretërinë e Bashkuar, por në një afat kohor të ngushtë dhe në një vend në luftë. Ai konfirmoi se Witkoff dhe Kushner janë të gatshëm të vizitojnë Ukrainën për të prezantuar përfitimet e marrëveshjes, duke sugjeruar që ndoshta vetë Trump duhet ta bëjë këtë.
Megjithatë, ai paralajmëroi se nëse një fushatë e tillë kryhet mes sulmeve të vazhdueshme ruse, ajo do të dështojë. “Pavarësisht se sa shumë flitet për garancitë e sigurisë dhe përfitimet ekonomike, njerëzit do të shohin raketat”, – tha ai.
Zelensky ka theksuar vazhdimisht nevojën për një armëpushim që do të respektohet në praktikë dhe do të zgjasë të paktën 2 muaj. Nëse qytetarët nuk shkojnë në votime për shkak të shqetësimeve të sigurisë, rezultati mund të konsiderohet i paligjshëm, paralajmëroi ai. “Është më mirë të mos ketë referendum sesa të ketë një në të cilin njerëzit nuk kanë mundësi të votojnë”, – tha ai.
Sipas një zyrtari ukrainas, Zelensky, Trump dhe një grup udhëheqësish evropianë pritet të zhvillojnë një konferencë telefonike të shtunën për të ndarë përditësime mbi bisedimet. Presidenti ukrainas shprehu shpresën se gjatë takimit të tij me Trump të dielën, ata do të jenë në gjendje të “lidhen edhe me evropianët”.
Ai tha se qëllimi i takimit është të mbështetet në të gjithë progresin e bërë nga ekipet negociuese për të vendosur një kornizë të qartë – dhe një afat – për përfundimin e luftës. “Mendoj se tani jemi në nivelin tjetër dhe kjo është arsyeja pse na duhen negociata në nivelin e presidentëve. Ne duam që kjo të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur”, – tha ai.