Kate Hudson ka zbuluar se ishte shumë pranë një prej roleve më ikonike në historinë e filmave me superheronj. Aktorja 46-vjeçare ka rrëfyer se refuzoi rolin e Mary Jane në filmin “Spider-Man” (2002), rol që përfundimisht iu dha Kirsten Dunst.
Gjatë një paraqitjeje në emisionin “Watch What Happens Live With Andy Cohen”, Hudson konfirmoi se kishte marrë ofertën dhe u ndal për të reflektuar mbi vendimin e saj.
“Po, është e vërtetë,” tha ajo. “Kur e shoh tani nga larg, mendoj se do të kishte qenë bukur të isha pjesë e ‘Spider-Man’.”
Megjithatë, aktorja theksoi se nuk pendohet plotësisht, pasi në të njëjtën periudhë pranoi një tjetër projekt që i solli përvoja të veçanta në jetën personale dhe profesionale.
“Në atë kohë bëra filmin ‘The Four Feathers’. Atje njoha Heath Ledger, i cili u bë një mik shumë i afërt. Ishte një përvojë që nuk do ta kisha pasur ndryshe,” u shpreh Hudson. “Jeta ndodh ashtu siç duhet të ndodhë dhe për këtë jam mirënjohëse. Por po, do të kishte qenë argëtuese të luaja atë rol.”
Në vend të “Spider-Man”, Hudson interpretoi personazhin Ethne Eustace në dramën historike “The Four Feathers” (2002), ku luajti të fejuarën e personazhit të Heath Ledger.
Andy Cohen shtoi me humor se Hudson nuk humbi vetëm një film “Spider-Man”, por disa, pasi roli i Mary Jane u shfaq edhe në vazhdimet e mëvonshme të sagës. Kate theksoi gjithashtu se nuk i pëlqen të flasë për “rolat e humbura”, duke shtuar se aktorët që përfundojnë në filma janë zakonisht zgjedhjet e duhura.
“Gjërat ndodhin sipas rrethanave të jetës dhe njerëzit e duhur janë aty ku duhet të jenë,” tha ajo.
Filmi “Spider-Man” rezultoi një sukses gjigant, duke arkëtuar mbi 811 milionë dollarë në mbarë botën. Kirsten Dunst e ripërsëriti rolin e Mary Jane edhe në “Spider-Man 2” (2004) dhe “Spider-Man 3” (2007), përkrah Tobey Maguire.