Avokatët e reperit dhe producentit të njohur Sean “Diddy” Combs i kanë kërkuar një gjykate federale apeli në Nju Jork që të urdhërojë lirimin e menjëhershëm nga burgu, rrëzimin e dënimit për akuza të lidhura me prostitucionin, ose alternativisht uljen e dënimit prej katër vitesh.
Në një kërkesë të depozituar të martën në Gjykatën e Apelit të Qarkut të Dytë të SHBA-së në Manhattan, avokatët argumentojnë se Combs u trajtua në mënyrë të padrejtë gjatë dhënies së dënimit, pasi gjyqtari lejoi që prova të lidhura me akuza për të cilat ai ishte shpallur i pafajshëm të ndikonin në masën e ndëshkimit.
Combs, 56 vjeç, aktualisht po vuan dënimin në një burg federal në New Jersey dhe pritet të lirohet në maj 2028. Në korrik, ai u shpall i pafajshëm për komplot kriminal dhe trafikim seksual, por u dënua sipas Ligjit Mann, që ndalon transportimin e personave për qëllime seksuale të paligjshme ndërmjet shteteve.
Sipas mbrojtjes, gjyqtari Arun Subramanian lejoi që pretendime për akuza të rrëzuara të ndikojnë në vendimin përfundimtar. Avokatët theksojnë se Combs u dënua për dy akuza më të lehta, të cilat nuk kërkojnë prova për forcë, mashtrim apo shtrëngim.
“Zakonisht, të pandehurit dënohen me më pak se 15 muaj burg për këto vepra,” shkruajnë avokatët, duke shtuar se dënimi i Combs është më i larti i dhënë ndonjëherë për raste të ngjashme.
Gjatë seancës së dënimit, gjyqtari deklaroi se kishte marrë në konsideratë dëshmitë e dy ish-partnereve të Combs, të cilat folën për sjellje abuzive gjatë marrëdhënieve të tyre. Gjykatësi theksoi se nuk pranonte përshkrimin e mbrojtjes se bëhej fjalë për marrëdhënie thjesht konsensuale.
Ai shtoi se Combs kishte abuzuar me pushtetin dhe kontrollin që kishte ndaj grave me të cilat kishte lidhje, duke theksuar ndikimin emocional dhe psikologjik të sjelljes së tij.
Gjykata e apelit ende nuk ka caktuar një seancë dëgjimore për këtë çështje.