Donald Trump ka shkaktuar një debat të ri diplomatik me Danimarkën pas emërimit të një të dërguari të posaçëm amerikan në Groenlandë, ishullin e madh arktik që ai ka shprehur hapur dëshirën për ta aneksuar.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje të BBC-së lidhur me rolin e ri të Jeff Landry, guvernator republikan i Luizianës, Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për Groenlandën për “mbrojtje kombëtare”, duke shtuar se “ne duhet ta kemi atë”.
Sipas Trump, Landry do të “udhëheqë sulmin” si i dërguar special në Groenlandë, territor gjysmë-autonom që është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës. Emërimi ka shkaktuar reagime të forta në Kopenhagë, ku autoritetet daneze njoftuan se do të thërrasin ambasadorin amerikan për të kërkuar “një shpjegim”.
Kryeministri i Groenlandës reagoi duke theksuar se ishulli duhet të “vendosë vetë për të ardhmen e tij” dhe se “integriteti territorial i Groenlandës duhet të respektohet”.
Ndërkohë, Jeff Landry shkroi në platformën X se ishte “një nder” të shërbente në një “pozicion vullnetar për ta bërë Groenlandën pjesë të SHBA-së”, deklaratë që ka shtuar më tej polemikat.
Që nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë në janar, Trump ka ringjallur interesin e tij të hershëm për Groenlandën, duke përmendur rëndësinë strategjike të ishullit dhe pasuritë e tij minerale. Ai ka refuzuar gjithashtu të përjashtojë përdorimin e forcës për të siguruar kontrollin e territorit, një qëndrim që ka tronditur Danimarkën, aleate e NATO-s dhe partnere tradicionale e SHBA-së.
“Do të duhet ta zgjidhim këtë. Ne kemi nevojë për Groenlandën për sigurinë kombëtare, jo për mineralet,” tha Trump, duke përmendur praninë e anijeve kineze dhe ruse si kërcënime të mundshme në rajon.
Groenlanda, me rreth 57 mijë banorë, gëzon vetëqeverisje të gjerë që nga viti 1979, ndërsa mbrojtja dhe politika e jashtme mbeten nën përgjegjësinë e Danimarkës. Megjithëse shumica e banorëve mbështesin pavarësinë e ardhshme nga Danimarka, sondazhet tregojnë kundërshtim të fortë ndaj bashkimit me Shtetet e Bashkuara.