“Gjyqtarët vetë Ali vetë Kadi”/ Rama: Po i fusin të gjithë në paraburgim

Në podkastin “Flasim” kryeministri Rama goditi sërish drejtësinë e re duke njoftuar se po analizohen shenjat shqetësuese “të brutalitetit në ushtrimin e pushtetit gjyqësor”. Shkak për këtë u bënë pezullimi i Ballukut dhe sipas Ramës edhe kërkesa e gjyqtarëve dhe prokurorëve për rritje pagash.

“Pezullimi antidemokratik i një anëtari qeverie nga një prokuror e gjykatës me një vendim të shkallës së parë dhe tentativa e magjistratëve, gjykatës dhe prokurorë bashkë të Shqipërisë për të rritur vetë pagat e tyre, duke shqyer arkën e shtetit. Vetë Ali dhe vetë Kadi” – tha Rama.

Për të goditur sistemin e drejtësisë që e ngritur dhe mbështetur vetë, Rama përsëriti edhe një raport të shkruar nga ekspertë të Këshillit të Evropës “mbi përdorimin brutal dhe masiv të paraburgimit në Shqipëri”.

“Një rekord negativ absolut i drejtësisë shqiptare, e cila e ka vendosur Shqipërinë në pozicionin më të keq në Europë, por jo thjeshtë në fund, por me dallim të frikshëm nga rajoni dhe nga pjesa tjetër e Europës, po se po” – tha Rama që ka sjellë edhe pjesë nga raporti.

“Së pari: Përdorim i tepruar dhe kohëzgjatje e pajustifikuar e paraburgimit

Shqipëria mban një nivel jashtëzakonisht të lartë të personave në paraburgim, me shifra që janë dukshëm shumë larg praktikave të vendeve të BE-së. Gjykatat e zgjasin rëndom masën e paraburgimit, pa asnjë arsyetim të individualizuar dhe pa treguar se vazhdimi i kësaj mase mbetet në mënyrë strikte i domosdoshëm dhe proporcional.

Së dyti: Cilësia e arsyetimit gjyqësor dhe kontrollit le shumë për të dëshiruar

Vendimet për paraburgim shpesh bazohen në nocione të paqarta ligjore (“arsye të rëndësishme”, “rrezik i veçantë”) dhe gjykatat kanë tendencën të përdorin formula standarde, pa bërë një vlerësim të mirëfilltë të çështjes. Raporti thekson kulturën e mangët të arsyetimit të thelluar.

Së treti: Mungesë dhe zbatim i paqëndrueshëm i masave alternative ndaj paraburgimit

Gjykatësit kanë tendencën ta trajtojnë paraburgimin si opsionin e parë, atë të shumëdëshiruarin dhe jo si mjetin e fundit, duke i shpërfillur rëndom masat e tjera dhe shtoj, duke i mbushur burgjet me më shumë persona të padënuar se sa të dënuar, çka e bën Shqipërinë, një vend krejtësisht origjinal në brutalitetin e vet.

Së katërti: Mosgarantimi i të drejtës së mbrojtjes

Korniza aktuale ende nuk garanton plotësisht aksesin efektiv te avokatit që në fazat më të hershme të procedimit. Disponimi i materialeve të çështjes mund të vonohet, dhe mungon regjistrimi sistematik audio/video i marrjes në pyetje.

Gjithë këto para, gjithë këto fonde të dhëna në mbështetje të reformës në drejtësi dhe të institucioneve të drejtësisë dhe sot e gjithë ditën merren në pyetje njerëzit pa video, pa audio. Pikëpyetje shumë e madhe kjo. Dhe kjo – thotë raporti – e dobëson aftësinë e mbrojtjes për të sfiduar ligjshmërinë e paraburgimit dhe përmbajtjen e akuzës.

E së fundi – nga pikat që unë kam nxjerrë, raporti është rrëqethës, po të kesh parasysh që është shkruar edhe me gjuhën shumë diplomatike të Këshillit të Europës – Dimensioni strukturor dhe kulturor

Edhe pse korniza ligjore shqiptare është në përputhje të përgjithshme, përgjithësisht me standardet evropiane në letër, vazhdojnë të jenë të pranishme prirjet për të supozuar nevojën për paraburgim, në vend të supozimit në favor të lirisë, dhe mungon praktika e zbatimit të masave proporcionale dhe të arsyetuara në mënyrë individuale.

Kërkohet një ndryshim strategjik – përfshirë përcaktime më të qarta ligjore, kontroll më i fortë nga gjykatat e apelit dhe një sistem funksional i masave alternative” – tha Rama.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top