Pas fitimit të Topit të Artë, Ousmane Dembélé ka fituar edhe çmimin FIFA The Best si lojtari më i mirë i vitit. Për të marrë çmimin, sulmuesi francez u lidh nga Doha, ku PSG do të përballet nesër me Flamengon në finalen e Kupës Interkontinentale, dhe përshëndeti audiencën.
“Dua të falënderoj të gjithë shokët e skuadrës: puna gjithmonë shpërblehet. Faleminderit familjes sime dhe PSG-së, me të cilën kemi përjetuar një vit fantastik – deklaroi ai –. Falënderoj edhe Gianni Infantinon për mesazhin që më dërgoi ditën e ditëlindjes sime. Shpresoj të rikthehem edhe vitin e ardhshëm”.
Sulmuesi francez ka lënë pas në votim Kylian Mbappé dhe Lamine Yamal.
Mbappé i përjashtuar nga Top 11
Përveçse ka festuar talentin e Dembélé, ceremonia The Best 2025 ka konfirmuar edhe sezonin e madh të PSG-së, duke përfshirë disa lojtarë të klubit francez në Top 11.
Në formacionin mashkullor të vitit janë: Donnarumma në portë; në mbrojtje Hakimi, Pacho, Van Dijk dhe Nuno Mendes; në mesfushë Palmer, Bellingham, Vitinha dhe Pedri; ndërsa në sulm Lamine Yamal dhe Dembélé.
Pavarësisht fitimit të Këpucës së Artë, mungesa e madhe nga Top 11 është Kylian Mbappé.
Luis Enrique trajneri më i mirë i vitit
Luis Enrique është shpallur The Best FIFA Men’s Coach 2025 pasi udhëhoqi Paris Saint-Germain drejt një sezoni historik. Trajneri spanjoll i dhuroi klubit francez fitoren e parë në UEFA Champions League, të arritur me një 5-0 në finale kundër Interit. PSG dominoi edhe në arenën kombëtare, duke fituar Ligue 1, Coupe de France dhe Trophée des Champions.
“Skuadra e Luis Enrique shkëlqeu edhe në nivel global: megjithëse u mposht në finalen e edicionit të parë të Kupës së Botës për Klube FIFA, PSG ofroi paraqitje të jashtëzakonshme gjatë gjithë turneut, përfshirë fitore të rëndësishme ndaj Bayern Mynihut dhe Real Madridit”, thuhet në motivacion.
Rroveshata e Montiel fiton çmimin Puskás
FIFA Puskás Award 2025 iu dha Santiago Montiel për rroveshatën e tij spektakolare të realizuar me Independiente kundër Independiente Rivadavia. Goli erdhi gjatë një ndeshjeje të Liga Profesional de Fútbol argjentinase në maj 2025, kur 25-vjeçari – kushëri i kampionit bote Gonzalo Montiel – sfidoi ligjet e fizikës duke goditur fuqishëm me të majtën nga jashtë zone.
“Nuk mendova, thjesht godita”, deklaroi Montiel pas kryeveprës së tij, e cila u përzgjodh mes dhjetë golave të jashtëzakonshëm. Me këtë sukses ai bëhet argjentinasi i dytë radhazi që fiton çmimin, pas Alejandro Garnacho-s, fitues në vitin 2024. Çmimi mban emrin e legjendës hungareze Ferenc Puskás dhe nderon golat më spektakolarë të shënuar në periudhën e vlefshmërisë, nga 11 gusht 2024 deri më 2 gusht 2025.
Bonmatí lojtaria më e mirë e vitit
Mesfushorja spanjolle Aitana Bonmatí është shpallur The Best FIFA Women’s Player për të tretin vit radhazi. Pavarësisht se Barcelona dhe Spanja u mposhtën respektivisht në finalet e UEFA Women’s Champions League dhe Women’s Euro, Bonmatí fitoi çmimin MVP në të dyja kompeticionet. Ajo ishte udhëheqësja e Barcelonës që fitoi tripletën kombëtare. 27-vjeçarja iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për një frakturë në fibulë në fillim të dhjetorit.
Wiegman trajnerja e vitit
Trajnerja holandeze e Anglisë, Sarina Wiegman, u shpall The Best FIFA Women’s Coach për herë të pestë, duke vendosur një rekord të ri. Ky vlerësim vjen pas një tjetër suksesi të madh në një karrierë të jashtëzakonshme. Wiegman e udhëhoqi Anglinë drejt fitores në Women’s Euro 2025, me Lionesses që mposhtën kampionet e botës në fuqi, Spanjën, pas goditjeve të penalltive në një finale plot emocione. Falë këtij triumfi, ajo u bë trajnerja e parë që fiton tre tituj evropianë në futbollin femëror. Më parë, Wiegman e kishte fituar çmimin në vitet 2017, 2020, 2022 dhe 2023.
Çmimi Fair Play për mjekun e Regensburgut
Mjeku Andreas Harlass-Neuking është fituesi i FIFA Fair Play Award 2025. I specializuar në mjekësi sportive dhe kirurgji sportive, Harlass-Neuking është mjek i klubit gjerman SSV Jahn Regensburg që nga viti 1995.
Në prill të kaluar, para një ndeshjeje të rëndësishme të 2. Bundesliga mes Regensburgut dhe Magdeburgut, atmosfera festive në tribuna u ndërpre papritur kur një tifoz vendas u rrëzua pa ndjenja. I njoftuar nga lojtarët, Harlass-Neuking vrapoi drejt sektorit të tifozëve, kapërceu barrierën dhe ndërhyri menjëherë për ta reanimuar tifozin. Më pas ai u sigurua që gjendja e tij ishte stabile, duke lejuar transferimin e sigurt në spital.
Veprimet e tij vendimtare dhe shpëtuese i sollën mjekut çmimin FIFA Fair Play, i cili u jepet lojtarëve, trajnerëve, ekipeve, zyrtarëve të ndeshjes ose tifozëve që dallohen për sjellje shembullore brenda dhe jashtë fushës.