Ndahet nga jeta aktori i “The Mask”

Aktori Peter Greene, i njohur për rolet e tij në filmat e famshëm “The Mask” dhe “Pulp Fiction”, u gjet i pajetë pasditen e së premtes në apartamentin e tij në Lower East Side të Manhatanit. Lajmi u konfirmua për New York Post nga menaxheri i tij prej më shumë se një dekade, Gregg Edwards.

Greene ishte 60 vjeç. Sipas policisë, ai u gjet pa shenja jete rreth orës 15:25 në apartamentin e tij në Clinton Street dhe u shpall i vdekur në vendngjarje Shkaku i vdekjes do të përcaktohet nga mjekësia ligjore.

“Ai ishte një njeri i jashtëzakonshëm,” tha Edwards. “Një nga aktorët më të mëdhenj të brezit tonë. Zemra e tij ishte po aq e madhe sa talenti. Do të më mungojë shumë.”

Menaxheri bëri të ditur se Greene ishte gati të niste xhirimet në janar për një thriller të pavarur me Mickey Rourke, me titull “Mascots”. Lajmi i vdekjes së aktorit ka tronditur ekipin e filmit.

Peter Greene u bë i njohur në vitet ’90 si një nga “antagonistët” më të spikatur në ekran. Ai interpretoi rolin e gangsterit Dorian Tyrell në “The Mask”, përkrah Jim Carrey dhe Cameron Diaz, si dhe personazhin famëkeq Zed në “Pulp Fiction” të Quentin Tarantino-s.

Megjithëse kishte reputacionin e një aktori kërkues në punë, Edwards theksoi se Greene ishte perfeksionist dhe i përkushtuar maksimalisht çdo roli. “Ai donte që çdo interpretim të ishte i saktë,” u shpreh ai.

I lindur në Montclair, New Jersey, Greene kishte një jetë të vështirë në rini. Ai u largua nga shtëpia në moshën 15-vjeçare dhe jetoi në rrugët e Nju Jorkut, ku u përball me varësinë nga droga. Pas një tentative vetëvrasjeje në vitin 1996, aktori kërkoi trajtim dhe u përpoq të kapërcente problemet e tij personale.

Me rreth 95 role në film dhe televizion, Peter Greene la gjurmë në kinematografi me paraqitje në filma si “The Usual Suspects”, “Training Day”, “Blue Streak”, “Laws of Gravity” dhe “Clean, Shaven”.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top