Gjykata Kushtetuese vendosi të marrë nën shqyrtim çështjen për pezullimin e Belinda Ballukut nga posti i zv.kryeministres. Trupa e gjykatës kushtetuese u vu në lëvizje nga kërkesa e Këshillit të Ministrave, që ankimoi vendimin e Gjykatës së Posaçme për pezullimin e Ballukut nga detyra dhe për bllokimin e pasaportës së saj.
Balluku është marrë e pandehur për tenderin e tunelit të Llogarasë, që fillimisht u pezullua dhe më vonë u hap sërish me një diferencë prej thuajse 50 milion eurosh shtesë. Prej gati dy javësh kryeministri Rama ushtroi presion ndaj gjykatësve duke refuzuar të zëvëndësojë zv.kryeministren dhe duke kërkuar marrjen në shqyrtim të çështjes nga Gjykata Kushtetuese për të rikthyer Belinda Ballukun në detyrë.