Analiza pas doktrinës së re të Trump/ Si duhet të përgjigjet Europa?

Shtetet e Bashkuara pretendojnë në Strategjinë e tyre të re të Sigurisë Kombëtare se Europa ndodhet në trajektoren e “shuarjes së civilizimit”, dhe i atribuojnë integrimit evropian dhe “aktivitetit të Bashkimit Europian që minon lirinë politike dhe sovranitetin” disa prej problemeve më të thella të kontinentit.

Këtë duhej ta kishim kuptuar të gjithë pas planit poshtërues me 28 pika të Uashingtonit për Ukrainën. Fjalimi tronditës i JD Vance në Mynih, në shkurt, ku ai sugjeroi se demokracitë evropiane nuk ia vlen të mbrohen, ishte një sinjal i hershëm paralajmërues. Por fjalët e reja sërish godasin në mënyrë shokuese. Dokumenti i sigurisë është sinjali më i qartë deri tani se sa brutal dhe transaksional synon të jetë angazhimi i Uashingtonit me kontinentin. Ai shënon një fazë tjetër në përpjekjen e Trump për ta riformatuar Europën sipas imazhit të tij ideologjik, ndërsa në të njëjtën kohë e braktis atë ushtarakisht. Sipas dokumentit, politika amerikane duhet t’i mundësojë Europës “të marrë përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen e saj”.

Tërheqja e trupave amerikane nga Europa ka qenë një kërkesë veçanërisht ngulmuese e lobit MAGA. Figura si Steve Bannon argumentojnë hapur për “mbrojtje hemisferike”, pra mbrojtjen e Amerikave dhe jo të Europës. Në podcastin e tij “War Room”, Bannon e tha qartë: “Ne jemi një komb i Paqësorit… qendra jonë, zemra strategjike e Amerikës, në fakt është Paqësori.”

Një nga artikulimet më të qarta të tërheqjes strategjike amerikane ka ardhur nga një figurë kyçe e mendimit të mbrojtjes në epokën Trump: Elbridge Colby, këshilltar kryesor për mbrojtjen dhe politikën e jashtme në Pentagon. Në një dokument politik të vitit 2023, “Si duhet bërë deprioritizimi strategjik”, Colby dhe bashkautorët e tij paraqitën logjikën e reduktimit të angazhimit amerikan në Europë dhe përqendrimit të burimeve diku tjetër.

Premisa fillestare është e qartë. Siç shprehet një prej kontributorëve, “Shtetet e Bashkuara nuk kanë dhe nuk planifikojnë të zhvillojnë aftësinë për të luftuar dhe fituar luftëra të mëdha në Europë dhe Azi njëkohësisht.” Sipas tyre, Kina është fusha vendimtare, jo Europa, dhe vëmendja e asetet amerikane duhet të zhvendosen sipas interesit.

Uashingtoni ka sinjalizuar një version të kësaj përmbysjeje për më shumë se një dekadë. Megjithatë, qeveritë evropiane e kanë pasur shumë të vështirë ta përmbysin idenë se SHBA mund ta lërë realisht në hije sigurinë e kontinentit të vjetër. Lufta në Ukrainë e ka përforcuar këtë tension: nga perspektiva evropiane, një tërheqje amerikane ose një paqe e imponuar e pabarabartë do të prodhonte kaos në Ukrainë dhe destabilizim në Evropë.

Për Colby, ky fakt nuk është argument i mjaftueshëm kundër largimit të SHBA nga Europa. Siç shkruan ai: “Destabiliteti apo edhe kaosi, në vetvete, nuk mjaftojnë… për të gjykuar një përpjekje të deprioritizimit si të dështuar.” Ajo që ka rëndësi, sipas tij, është nëse SHBA gjen mënyra për të mbrojtur veten nga kaosi që pason.

Strategjia e re e sigurisë së SHBA konfirmon se Uashingtoni po përqendrohet gjithnjë e më shumë në “Hemisferën Perëndimore”. Administrata planifikon të vendosë në plan të dytë çështjet dhe misionet e jashtme, përfshirë, deri diku, edhe Kinën, për t’u fokusuar te siguria e brendshme dhe te fqinjësia e saj e afërt. Investimi detar amerikan në Karaibe, më i madhi në mbi 30 vjet, e nënvizon këtë ndryshim.

Ka arsye për të besuar se SHBA nuk do ta braktisë Europën plotësisht. Mbrojtja e rreth 4 trilionë dollarëve investime amerikane në kontinent mbetet interes kyç. Megjithatë, lëvizja është e pamohueshme, Uashingtoni po tërhiqet. Pyetja urgjente për Europën është: A jemi gati të përballojmë pasojat?

Sepse është e qartë se ndërsa SHBA tërhiqet ushtarakisht, ajo do të shtrëngojë më fort levat e tjera: fuqinë financiare, presionin diplomatik, kontrollet e eksporteve, masat tregtare dhe sanksionet dytësore. Këto instrumente do të përdoren gjithnjë e më shumë për ta orientuar Europën drejt kursit politik që SHBA dëshiron. Zbatimi i butë, ose heqja e plotë e rregullave digjitale dhe të gjelbra, do të kërkohet nga BE, ashtu siç bëri muajin e kaluar sekretari amerikan i tregtisë, Howard Lutnick. Dhe e gjithë kjo po ndodh ndërsa ombrella e sigurisë mbi Europën po bëhet gjithnjë e më e hollë. Rezultati është një asimetri e rrezikshme: më pak mbrojtje dhe më shumë presion.

Europa rrezikon të kthehet në dëmin kolateral të një konfrontimi të zgjatur SHBA-Kinë, ndërkohë që nuk gëzon më garancitë e hekurt të së shkuarës që zbutnin këto goditje. Kjo është një pozitë e keqe: humbje-humbje.

Nëse Europa dëshiron të kalojë nga pozita mbrojtëse te një agjenci strategjike, duhet të vazhdojë rritjen e investimeve në mbrojtje dhe të bëjë absolutisht të qartë se përpjekjet e presionit nga Uashingtoni ose Pekini do të hasin në kundërveprime të ashpra. Vetëm kështu Europa mund të shmangë presionet e një padroni që tërhiqet dhe të një rivali që nuk beson.

Nënshtrimi ndaj presionit të SHBA nuk funksionon, siç tregoi marrëveshja e turpshme, e njëanshme tregtare e Ursula von der Leyen verën e kaluar. Ky poshtërim i BE u supozua se do të siguronte mbështetje të vazhdueshme amerikane për Ukrainën, megjithatë po ndodh e kundërta. Impulsi amerikan për t’u larguar nga Europa është më i fortë se çdo koncesion tregtar i njëanshëm që mund t’i ofrohet.

Europa nuk duhet ta përsërisë atë gabim. Herën tjetër që Uashingtoni do të shtrëngojë darën, BE duhet të jetë gati të reagojë, duke filluar me hedhjen poshtë të marrëveshjes tregtare dhe aktivizimin e “instrumentit të anti-nënshtrimit” që ka në dispozicion, që në shenjën e parë të presionit. Vetëm një përgjigje e fortë do të llogaritet në Uashington.

Nëse SHBA do të vendosë ta lërë në plan të dytë sigurinë e Europës, kjo duhet të ketë një kosto: ndikimi i saj në rajon duhet të zbehet. Pa garancitë historike të sigurisë, ndërhyrja dhe presioni amerikan krijojnë një situatë të papranueshme për kontinentin.

Georg Riekeles është drejtor i asociuar dhe Varg Folkman analist politik në European Policy Centre, përshtati nga The Guardian, Lapsi.al

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top