Kim Kardashian ka rrëfyer se moskalimi i provimit të avokatisë në Kaliforni i tronditi besimin tek vetja dhe e bëri të ndihej e pasigurt për një periudhë të gjatë.
Në një intervistë për TIME Magazine, Kim tha se vendosi t’i bëjë publike rezultatet e saj – edhe pse ishin zhgënjyese – përpara se ato të përfundonin në internet.
“Rezultati nuk ishte ai që doja. U ndjeva shumë keq dhe për një kohë nuk kisha fare vetëbesim,” u shpreh ajo.
“Mora një moment për ta përpunuar, por e dija që të dielën gjithçka do të bëhej publike, ndaj doja të tregoja vetë e para.”
Kardashian pranoi se dështimi “të dhëmb”, sidomos pasi kishte kaluar muaj të tërë me studime intensive, por shtoi se nuk ka kohë të ngelet tek zhgënjimi:
“Jam e mirë në kthimin e një dështimi në diçka pozitive. Nuk kam kohë të vuaj gjatë. Ajo energji duhet të shkojë tek studimi.”
Ajo e bëri publik dështimin më 8 nëntor, duke shkruar:
“Nuk jam ende avokate… Por nuk do të dorëzohem. Më shumë studim, më shumë vendosmëri.”
Pak ditë më vonë, Kardashian u shfaq e irrituar në një video në TikTok, ku u ankua se të gjithë “parashikuesit e fatit” i kishin thënë se do ta kalonte provimin.
“Të gjithë ishin gabim. Ju lutem, mos u besoni fare,” tha ajo me humor.
Kim nisi rrugën drejt ligjit në vitin 2019, e frymëzuar nga rasti i Alice Marie Johnson, të cilën e ndihmoi të lirohej nga burgu. Ajo e mori diplomën e saj të drejtësisë në maj 2025, por provimin shtetëror nuk arriti ta kalonte në nëntor.