Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i është kundërpërgjigjur kryeministri Edi Rama, i cili një ditë më parë tha se pezullimi i Belinda Ballukut me vendim të GJKKO, ka paralizuar punën e qeverisë.
Me anë të një postimi në Facebook, Berisha thotë se ky është një mashtrim, pasi nuk ka asnjë pengesë ligjore, as kushtetuese që pezullimi i një ministri të pengojë funksionimin e qeverisë.
Sipas kryedemokratit, paraliza që tha Rama është e stisur për ta përdorur si mburojë dhe mbrojtje në Gjykatën Kushtetuese.
“Në të vërtetë kjo është një paralizë e stisur e qëllimshme nga vetë bashkëhajdutët Rama–Balluku për ta përdorur atë si mburojë dhe mbrojtje në Gjykatën Kushtetuese, pa çka se ky është rasti i parë në botë që një kryeministër shndërrohet në avokat të ministrit të tij hajdut dhe vetëm se ai është hajduti kryesor”, shkruan Sali Berisha, teksa i referohet kushtetutes dhe ligjit.
Berisha sjell edhe rastin e tij, kur Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, nën presionin, sipas tij të Ramës hodhi poshtë kërkesën e 30 deputetëve të PD për shqyrtimin e vendimit antikushtetues të SPAK-ut për kufizimin e lëvizjes personale.
“Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, nën presionin e gjithanshëm të Ramaduros, i cili në mënyrë antikushtetuese hodhi poshtë kërkesën e 30 deputetëve të PD për shqyrtimin e vendimit antikushtetues të SPAK-ut për kufizimin e lëvizjes time personale në hetim me pretendimin absurd se 30 deputetë nuk legjitimoheshin për kërkesën e tyre, me një standard antikushtetues do të vendosë më datën 12 dhjetor, në konflikt flagrant me ligjin, për shqyrtimin e kërkesës së Edi Ramës për anulimin e pezullimit të Belinda Ballukut, duke i dhënë kështu një colpo di grazia organit garant të Kushtetutës”, mbyll postimin e tij Berisha.