Billy Ray Cyrus ka reaguar publikisht për fejesën e vajzës së tij, Miley Cyrus, me muzikantin Maxx Morando. Këngëtari 64-vjeçar postoi në Instagram disa foto – një me Miley dhe kumbarën e saj, Dolly Parton, dhe dy të tjera ku shfaqej çifti i ri.
“Nuk është çudi që u bëre kaq e veçantë… ke kumbaren më të mirë në botë! @dollyparton. Jam kaq i lumtur që ti dhe Maxx e gjetët njëri-tjetrin,” shkroi Billy Ray. Ai shtoi: “Urime! Jam i lumtur t’ju shoh të dy kaq të lumtur! Me dashuri, babi.”
Miley dhe Maxx, të cilët janë bashkë që prej vitit 2021, ndezën zërat për fejesë gjatë premierës së filmit “Avatar: Fire and Ash” në Los Angeles, ku këngëtarja u shfaq me një unazë diamanti në dorë.
Më vonë, dizajnerja Jacquie Aiche konfirmoi se unaza ishte porosi speciale: një diamant cushion cut 14-karatësh.
Gjatë premierës, Miley foli edhe për këngën “Secrets”, një bashkëpunim me Lindsey Buckingham dhe Mick Fleetwood, të cilën e ka shkruar për babain e saj. Në një intervistë të mëparshme, Miley ka treguar se kjo këngë lindi pas një periudhe tensioni në familje – një periudhë e cila ndodhi pak para divorcit të Tish dhe Billy Ray në vitin 2022.
“Disa prej nesh nuk flisnin me njëri-tjetrin. Isha shumë besnike ndaj mamasë,” tregoi Miley, duke përshkruar situatën si “grumbullim emocional” që u desh kohë të zhbëhej.
Këngëtarja zbuloi se familja ka punuar gjatë vitit të fundit për të rindërtuar marrëdhëniet:
“E nisa duke thënë: ‘Jam këtu. Ti je këtu. Le ta nisim duke kaluar një kohë të mirë.’ Pastaj, përmes gëzimit, vijnë edhe bisedat e vështira.”