Një tjetër hije shtrihet mbi Lyon, tashmë të dalë nga një sezon i shënuar nga tensione të brendshme dhe rreziqe administrative. Menaxhimi i John Textor vazhdon të ngrejë polemika të mëdha dhe këtë herë në qendër të debatit do të ishin disa transferime fantazmë mes klubit francez dhe Botafogos, skuadër tjetër e administruar nga biznesmeni amerikan. Nën dritë është vënë transferimi i Igor Jesus, i formalizuar për 41,5 milionë euro në nëntor 2024, por lojtari nuk do të kishte shkelur kurrë në Francë.
Sipas asaj që raporton L’Equipe, nuk do të ishte një episod i izoluar, sepse do të kishte edhe operacione të tjera të ardhura nga Brazili që duken të dyshimta. Janë pesë gjithsej lojtarët të transferuar formalisht në Ligue 1 pa u regjistruar kurrë kontratat e tyre nga kampionati maksimal francez, përkatësisht Luiz Henrique, Thiago Almada, Jair Cunha dhe Jefferson Savarino.
Operacionet e dyshimta të Lyon
Transferimet do të ishin kryer mes verës 2024 dhe muajve të parë të 2025-s, duke gjeneruar një borxh të përgjithshëm prej rreth 120 milionë eurosh mbi shpatullat e Lyon pa pasur asnjë përfitim teknik. Nga lojtarët e përmendur vetëm Thiago Almada ka luajtur realisht me francezët, por vetëm për pak muaj. Operacionet megjithatë do t’i kishin shërbyer Textor, i cili ka marrë likuiditet të menjëhershëm përmes operacioneve të faktoringut, duke arkëtuar pothuajse 100 milionë euro falë shitjes së kredive të ardhshme institucioneve financiare.
Dhe pikërisht mbi këtë po hetohet, pasi tani Lyon rezulton debitor dhe duhet t’i kthejë shumat atyre që kanë investuar për këto transferime. Lojtarët kanë gjetur të gjithë ekipe të tjera dhe mbetet pak e qartë se cilat nga këto të ardhura kanë hyrë realisht në llogaritë e klubit francez. Bilancet e klubit janë miratuar nga revisorët sipas rregullave të parashikuara për shoqëritë e listuara në Bursë, por së shpejti mund të shpërthejë një tërmet i ri në Francë.