Negociatorët ukrainas u takuan me zyrtarë amerikanë në Florida për të diskutuar detajet e kuadrit të propozuar të Uashingtonit për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, ndërkohë që Kievi po përballet me presion si në frontin ushtarak dhe atë politik.
Sekretari i shtetit, Marco Rubio, i dërguari special Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump, u ulën me një delegacion ukrainas të dielën përpara bisedimeve të planifikuara të SHBA-ve këtë javë në Moskë me Vladimir Putin.
Rustem Umerov, sekretari i këshillit të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare në Ukrainë, postoi një foto të takimit në X dhe e përshkroi atë si të përqendruar në “hapat drejt arritjes së një paqeje të drejtë”.
Diplomatët u përqendruan në rishikimin e planit të propozuar prej 28 pikash të zhvilluar në negociatat midis Uashingtonit dhe Moskës. Ky plan është kritikuar si shumë i orientuar drejt kërkesave ruse. Por para se të fillonte takimi i së dielës, Rubio u përqendrua te siguritë e Ukrainës.
“Qëllimi përfundimtar, padyshim, nuk është vetëm fundi i luftës. Por ka të bëjë edhe me sigurimin e një fundi të luftës që e lë Ukrainën sovrane dhe të pavarur dhe me një mundësi për prosperitet të vërtetë”, – tha Rubio në një fjalim të shkurtër. “Kjo nuk ka të bëjë vetëm me marrëveshjen e paqes”, – shtoi ai teksa ekipet u ulën ballë përballë në një klub golfi dhe raketash në Hallandale Beach.
Umerov iu përgjigj Rubios duke shprehur vlerësimin e vendit të tij për përpjekjet e SHBA-së, një mesazh drejtuar Trump, i cili më parë ka pohuar se Ukraina nuk ka qenë mjaftueshëm mirënjohëse për ndihmën e SHBA-së gjatë luftës. “SHBA-të po na mbështesin. SHBA-të po punojnë përkrah nesh”, tha ai.
Të paktën 6 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në të gjithë Ukrainën gjatë fundjavës. Një sulm me dronë në periferi të Kievit të shtunën në mbrëmje vrau një person dhe plagosi 11, tha guvernatori rajonal.
Një burim ukrainas tha se Kievi ishte përgjegjës për sulmet me dronë detarë ndaj dy cisternave naftë në brigjet e Detit të Zi të Turqisë, të cilat besonte se po transportonin fshehurazi naftë ruse të sanksionuar.
Bisedimet po përqendrohen në detajet e një draft-kornize për t’i dhënë fund luftës, pas më shumë se 3 vjet pasi forcat ruse nisën pushtimin e tyre të plotë të Ukrainës në vitin 2022.
SHBA-të kanë shkurtuar një draft fillestar pas kritikave nga Kievi dhe Evropa se ishte shumë i favorshëm ndaj Rusisë, por përmbajtja e propozimeve të fundit mbetet e paqartë. Witkoff, një zhvillues pronash në Nju Jork i kthyer në zyrtar të Trump, pritet të udhëtojë për në Moskë javën e ardhshme.
Plani origjinal 28-pikësh SHBA-Rusi u hartua muajin e kaluar nga Kirill Dmitriev, i dërguari special i Putinit, dhe Witkoff. Ai i bëri thirrje Ukrainës të tërhiqet nga qytetet që kontrollon në rajonin lindor të Donbasit, të kufizojë madhësinë e ushtrisë së saj dhe të mos bashkohet me NATO-n. Propozimi origjinal i Uashingtonit – i hartuar pa kontributin e aleatëve evropianë të Ukrainës – do të përfshinte tërheqjen e Kievit nga rajoni i saj lindor i Donetskut dhe njohjen de facto të Donetskut, Krimesë dhe Luhanskut nga SHBA-të si pjesë ruse.
Gjatë negociatave fundjavën e kaluar në Zvicër – të udhëhequra nga Rubio dhe negociatorët ukrainas – plani u rishikua ndjeshëm. Kievi dhe partnerët e tij evropianë thonë se vija ekzistuese e frontit duhet të jetë pika fillestare për diskutimet territoriale. Ata thonë se nuk mund të ketë njohje të tokës së sekuestruar nga Rusia ushtarakisht dhe se Kievi duhet të marrë vendimet e veta nëse do të bashkohet me BE-në dhe NATO-n, diçka për të cilën Kremlini dëshiron të vërë veton ose të vendosë kushte.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, tha se priste që rezultatet e takimeve të fundit me SHBA-në në Gjenevë të ishin “përcaktuese”.
Bisedimet me SHBA-në vijnë mes turbulencave për qeverinë ukrainase. Shefi i fuqishëm i stafit të Zelenskyy, Andriy Yermak, u detyrua të jepte dorëheqjen të premten pasi apartamenti i tij u kontrollua nga zyrtarë antikorrupsion që hetonin një skemë ryshfeti.
Yermak kishte qenë negociatori kryesor në bisedimet me SHBA-në. Zelenskyy ka thënë se delegacioni ukrainas në Florida përfshin Andrii Hnatov, kreun e forcave të armatosura të Ukrainës, Andrii Sybiha, ministrin e jashtëm dhe Rustem Umerov, kreun e këshillit të sigurisë.
Ukraina po përballet me një presion të konsiderueshëm nga Uashingtoni për të rënë dakord me kushtet e një marrëveshjeje, ndërsa Zelenskyy e gjen veten në vështirësi gjithnjë e më të mëdha. Rusia po bën përparime graduale në vijën e parë të frontit dhe qytetet ukrainase vuajnë orë të tëra ndërprerjesh çdo ditë për shkak të bombardimit të vazhdueshëm të rrjetit të saj elektrik.
Zelenskyy ka thënë se Ukraina është në një nga momentet më të vështira në historinë e saj, por i premtoi popullit të tij në një fjalim dramatik javën e kaluar se nuk do ta tradhtonte vendin.
Valerii Zaluzhnyi, ambasadori ukrainas në Britani dhe ish-komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura ukrainase, i cili konsiderohet një sfidues i mundshëm për presidencën e ardhshme, shkroi në Telegraph: “Ne jemi në një situatë jashtëzakonisht të vështirë, ku një paqe e nxituar do të çojë vetëm në një disfatë shkatërruese dhe humbje të pavarësisë.” Ai tha se “garancitë efektive të sigurisë” ishin thelbësore për çdo kornizë.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, do të takohet me Zelenskyy në Paris të hënën.
“Paqja është e arritshme, nëse Vladimir Putin braktis shpresën e tij iluzive për të rindërtuar perandorinë sovjetike duke nënshtruar së pari Ukrainën”, tha ministri i jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, për “La Tribune Dimanche”.
Barrot tha: “Vladimir Putin duhet ta pranojë armëpushimin ose të pranojë ekspozimin e Rusisë ndaj sanksioneve të reja që do ta shterojnë ekonominë e saj, si dhe do ta intensifikojnë mbështetjen evropiane për Ukrainën.”