Situata me motin e keq ka sjellë probleme të rënda sidomos në veri të vendit. Deputeti i PD-së për qarkun e Kukësit, Isuf Çelaj, ka ngritur shqetësimin për një rrezik që i kanoset banorëve të Fierzës dhe Tropojës. Si pasojë e motit të keq ka patur rënie të gurëve me përmasa të mëdha në aksin Fierzë–Bajram Curri.
Sipas deputetit, në zonën e Gegëhysenit, gurë gjigantë me peshë të konsiderueshme janë në prag të rrëshqitjes në rrugën nacionale. Kjo vë në rrezik jetën e banorëve që kalojnë çdo ditë në këtë segment.
Deputeti bëri thirrje strukturave shtetërore që të veprojnë menjëherë. “Thirrja ime shkon për Emergjencat Civile, Bashkinë Tropojë dhe Njësinë e Emergjencave pranë Prefekturës Kukës që të ndërhyjnë urgjentisht për eliminimin e këtij rreziku në aksin Fierzë–Bajram Curri, në zonën e Demushajve të Gegëhysenit. Ndërhyrja nuk ka kosto të madhe dhe rreziku mund të neutralizohet brenda një dite pune,” deklaron Çelaj. Deputeti kërkon veprim të menjëhershëm, për të shmangur një situatë që mund të kthehet në tragjedi për banorët e zonës.