Palencia, nga Real Madrid në varfëri: “Përfundova të punoj për 300 euro në muaj”

Jeta e Miguel Palencia ndryshoi në një çast: në moshën 20-vjeçare ishte pjesë e Real Madrid të Galaktikëve dhe stërvitej me lojtarë të kalibrit të Ronaldo, Beckham, Figo, Roberto Carlos, Raul dhe Casillas, i cili ishte shoku i tij i preferuar i udhëtimeve për transfertat. Në një moment të caktuar ai u gjend në kategorinë e tretë të Belgjikës, ndalesa e fundit e udhëtimit para se të varte këpucët në gozhdë dhe të përpiqej të mbijetonte, duke fituar 300 euro në muaj.

Ish-lojtari ka treguar historinë e tij në podcast-in Los Fulanos, duke folur për rënien dramatike që përjetoi kur ishte shumë i ri dhe për vështirësitë që iu desh të kalonte përpara se të rikthehej në botën e futbollit me një rol tjetër, atë të analistit sportiv për televizionin e Real Madrid.

 

Nga Reali i Galaktikëve në kategorinë e tretë belge

Historia e spanjollit Palencia ka filluar kur ai ishte shumë i ri. Luante si mbrojtës i majtë te La Fabrica, akademia e famshme e të rinjve e Real Madridit, dhe debutoi në ekipin e parë në kohën kur Galaktikët ishin të plotë: spanjolli ndante dhomën e zhveshjes me ikonat më të mëdha botërore, ulej pranë Casillas në autobus dhe ishte edhe mik i CR7, një skenar ëndrrash për një djalë vetëm 20-vjeçar të hedhur në futbollin e madh nga Vanderlei Luxemburgo: “Ishte koha e Galaktikëve. Ishte gjithashtu një periudhë e komplikuar. Kishte shumë yje. Bander dhe Luxemburgo më bënë të debutoja dhe të qëndroja shumë muaj me ekipin e parë.”

Gjithçka ndryshoi kur në pankinën e Castilla (skuadra B e Real Madrid) erdhi Michel Gonzalez, i cili e hoqi menjëherë nga formacioni titullar dhe i pengoi që të bënte hapin përfundimtar drejt ekipit të parë, siç pritej nga të gjithë. Në podcast Palencia zbuloi frazën që i shkatërroi karrierën dhe që nuk do ta harrojë kurrë: “Harroje Real Madrid. Aspiro te Betis, te Sevilla, te kombëtarja… por këtu nuk ka më vend për ty.”

Për të u hap një humnerë: “Më vrau psikologjikisht. Ishim në gjysmë të sezonit. Kisha debutuar me ekipin e parë të Real Madrid, kisha dalë në kopertinat e Marca dhe një vit e gjysmë më pas isha në një skuadër të kategorisë së dytë të basketbollit femëror për 300 euro duke u marrë me përgatitjen fizike.”

 

Palencia e jeta e tij e re

Refuzimi ishte i qartë dhe pa apel, dhe brenda një viti e gjysmë ai u gjet pa asgjë në dorë. Shpresa e fundit ishte Belgjika, por as në kategorinë e tretë nuk arriti të spikaste, duke vendosur kështu të tërhiqej shumë i ri. Nga ai moment, Palencia nisi një karrierë rasti, duke fituar 300 euro në muaj si përgatitës atletik për një skuadër të basketbollit femëror në Coslada.

Spanjolli tregoi dramën e tij: “Kam qenë plotësisht i shkatërruar për më shumë se një vit. Kam pasur një vit e gjysmë vërtet të vështirë. Më është shembur gjithçka mbi kokë. Kam kaluar momente psikologjikisht të vështira. Është shumë e vështirë të zbresësh nga ajo re pa ndihmë.”

Ai përjetoi periudha shumë të rënda dhe u kthye në universitet për t’u diplomuar në edukim fizik: që prej atij momenti nisi një karrierë ndryshe, duke ndihmuar atletët dhe duke themeluar qendrën e tij të stërvitjes me performancë të lartë.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top