Derbi mes Interit dhe Milanit pa triumfin e kuqezinjve, perfektë në shfrytëzimin e goditjes së Pulisic pas një devijimi të keq të Sommer dhe aftësive të Maignan, i aftë të hipnotizojë nga pika e bardhë të pagabueshmin Calhanoglu dhe të shpëtojë portën e tij të paktën në dy raste të tjera. Pikërisht me rastin e penalltisë për zikaltrit, megjithatë, nuk munguan polemikat ndaj arbitrit Sozza dhe VAR-it, që akorduan goditjen nga 11 metra për një “step on foot” të Pavlovic ndaj Thuram.
Një episod shumë i ngjashëm u përsërit pak më vonë, sërish në zonën kuqezi, kur Modric shkaktoi një shkelje këmbe ndaj Bastoni, nën sytë e gjyqtarit, por me një rezultat krejt të ndryshëm: loja u la të vazhdonte nga arbitri, ashtu si edhe nga asistentët në moviolë. Duke hapur një debat të ashpër për të përcaktuar në cilin nga të dy rastet fshihej gabimi teknik: në realitet, nuk pati asnjë lajthitje, sepse rregullorja aktuale u zbatua në mënyrë perfekte.
“Step on foot” i Pavlovic ndaj Thuram: është penallti
Në minutën e 73’ të Inter–Milan, me rezultatin 1-0 për kuqezinjtë, Thuram çlirohet në zonë, shkon në fundore dhe kroson. Pak çaste më vonë, Pavlovic vjen me forcë dhe me këmbën e djathtë shkel atë të francezit, që mbetet në tokë i dëmtuar derisa loja ndalet vullnetarisht nga Sucic dhe i lejon VAR-it të ndërhyjë: arbitri Sozza, i mbuluar në pamje, nuk merr asnjë sinjal nga asistenti i vijës që ishte disa metra larg, por thirret nga salla e Lissone, ku Aureliano i kërkon kolegut të shikojë aksionin në monitor. Një konsultim i shpejtë i pamjeve, e më pas vendimi i shpallur me audio të hapur për tifozët: “Numri 31 i Milanit kryen faull për një ndërhyrje të papërmbajtur, prandaj është penallti.”
“Step on foot” i Modric ndaj Bastoni: nuk është penallti
Kalojnë disa minuta dhe ndodh pothuajse një kopje identike e episodit: sërish në zonën e Milanit, rreth dhjetë minuta më pas dhe gjithmonë me kuqezinjtë në avantazh, Bastoni prek topin dhe gjuan në portë, por topi shkon mbi traversë. Një çast më vonë, Modric i bie sipër këmbës së mbrojtësit zikaltër duke i shkaktuar një pështypje, duke e hedhur në tokë, nën sytë e arbitrit Sozza, i cili është i pozicionuar mirë, por lë të vazhdojë ndeshja me goditje nga porta dhe pa ndërhyrjen e VAR-it.
Elementi që bën diferencën sipas rregullores
Dy situata të njëjta në pamje, por me rezultat të ndryshëm, që çuan në pakënaqësi tifozët e të dy skuadrave: kush u ankua për penalltinë e dhënë (milanistët), e kush kërkoi një të dytë që nuk u akordua (interistët). Por gjithçka që u pa në fushë u krye sipas rregullores, në mënyrë të rregullt. Elementi përcaktues nuk është “step on foot”-i, i cili është identik në dinamikë, as në qëndrimin e Pavlovic dhe Modric.
Në rastin e parë, lojtari i Milanit kryen një ndërhyrje vullnetare, të papërmbajtur, e sanksionueshme me penallti dhe karton të verdhë edhe me top larg, siç ndodhi saktësisht.
Në rastin e dytë, Modric kthehet në momentin e goditjes së Bastoni dhe i bie mbi këmbë krejt rastësisht, pa intent, çka nuk e detyron arbitrin apo VAR-in të ndërhyjë. Saktë, ashtu siç përcakton rregullorja.