Jugu nën ujë/ Moti i keq shkakton përmbytjen e dhjetëra banesave

Reshjet e dendura të orëve të fundit kanë shkaktuar probleme të mëdha në disa qarqe të vendit, duke krijuar përmbytje, izolime dhe dëmtime infrastrukture.

Sarandë

Në Çukë të Sarandës, çarja e argjinaturës së lumit Bistricë ka sjellë përmbytjen e pesë banesave dhe qindra hektarëve tokë bujqësore. Katër barinj kanë mbetur të izoluar në një stallë me bagëti. Probleme ka edhe në zonën e Shalësit, ku lumi Pavllë ka dalë nga shtrati, duke izoluar gjashtë fshatra të njësisë administrative Markat. Aksi Delvinë–Muzinë është bllokuar për shkak të rrëshqitjeve të dherave.

Vlorë

Në qarkun e Vlorës, situata mbetet alarmante. Niveli i lumit Vjosa ka shkuar deri në 8.25 metra dhe, megjithëse mëngjesin e së premtes ka pasur një lehtësi të prurjeve, lumi vijon të qëndrojë në kuotën maksimale. Në Mifol, Novoselë dhe Fitore janë përmbytur 17 banesa, ndërsa banorët janë evakuuar. Tokat bujqësore në të gjithë zonën janë nën ujë.

Edhe në Fier, përgjatë zonave Kashisht, Çerven dhe Ferras, prezenca e ujit brenda argjinaturës së Vjosës ka rritur rrezikun për përhapje të përmbytjeve. Puset që furnizojnë me ujë të pijshëm stacionin e Kafarajt ndodhen nën ujë, çka ka shtuar pasigurinë për furnizimin e zonës.

Gjirokastër

Në qarkun e Gjirokastrës, lumi Drino ka dalë nga shtrati, duke përmbytur sipërfaqe të mëdha tokash, vreshtash dhe pemëtarish. Në Dropull vijon ndërprerja e energjisë elektrike. Liqeni i Viroit ka përshkuar aksin nacional Gjirokastër–Tepelenë, ndërsa kantieri i rrugës së re pranë Viroit është përmbytur pothuajse tërësisht.

Berat

Në Berat, lumi Osum ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur pedonalen e qytetit. Ekipet e emergjencave po punojnë për largimin e ujit dhe normalizimin e situatës.

Korçë

Prefektura e Korçës njofton se reshjet kanë shkaktuar përmbytje në bodrumet dhe arkivën e Prokurorisë së Korçës, por situata është stabilizuar. Në Maliq një defekt elektrik ka shkaktuar mungesë energjie, ndërsa në Sovjan janë evakuuar banorë, bagëti dhe koshere bletësh. Raportohen bagëti të mbytura në Leshnjë dhe prezencë uji në disa oborre banesash pranë Vlocishtit. Lumi Dunavec është çarë në dy pika, duke përmbytur zona të gjera bujqësore.

Në Pustec ka rrezik daljeje të përrenjve në rrugën Doganë–Goricë e Vogël, si dhe prezencë inertesh në aksin Zvezdë–Goricë. Ndërkohë, në Devoll situata është e rënduar në Progër, Mancurisht dhe Dobranj, ku nevojitet ndërhyrje urgjente për devijimin e përroit që ka përmbytur tokat. Rruga Miras–Arrëz ka pësuar shkarje dherash, një banesë është përmbytur në Poloskë, dhe në Qytezë raportohet një rrëshqitje tjetër.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top