Shtetet e Bashkuara duan që Gjermania të marrë komandën e forcave të NATO-s në Europë, njoftoi i dërguari i presidentit Donald Trump në Aleancën Veriatlatike, Matthew Whitaker.
Ambasadori amerikan në NATO tha gjatë Konferencës së Sigurisë në Berlin se pret që Gjermania të tregojë gatishmëri për të marrë postin e Komandantit të Lartë të Forcave Aleate në Europë (SACEUR).
“Pres ditën kur Gjermania do t’i drejtohet SHBA-ve dhe të thotë se është gati të marrë komandën e SACEUR-it. Mendoj se jemi ende larg asaj dite, por mirëpres nisjen e këtyre diskutimeve”, u shpreh Whitaker.
Deklarata e tij befasoi panelistët, ndërsa përfaqësuesi i Gjermanisë në NATO dhe BE, Gjeneral Leitnant Wolfgang Wien, tha se Berlini është i gatshëm të marrë më shumë përgjegjësi në Aleancë, por aktualisht e sheh pozicionin e SACEUR-it si rol i Shteteve të Bashkuara.
Posti i SACEUR është një nga dy komandat strategjike të NATO-s dhe drejton operacionet e Aleancës.