Dëshmitë në Hagë/ A e kanë njohur amerikanët Thaçin si lider të UÇK

Gjenerali Amerikan, Wesley Clark, që udhëhoqi fushatën e bombardimeve të NATO-së mbi Jugosllavinë, gjatë luftës së Kosovës, në 1999, ka qenë dëshmitari i fundit pro Hashim Thaçit përpara gjykatës së Hagës, i cili në një përpjekje për ta mbrojtur atë në proces, ka reduktuar ndjeshëm rolin e tij si prijës i UÇK-së.
Të njëjtën gjë kanë bërë më parë edhe James Rubin (në mes, në foto), ish numri dy ish sekretares amerikane të shtetit Madeleine Albright, si dhe Kris Hill (majtas në foto), diplomat aktiv në Ballkan gjatë kohës së konferencës së Rambujesë.

Në dëshminë e gjeneralit Clark, ish dretuesi politik i UÇK-së u përshkrua si një udhëheqës i pafuqishëm, të cilit nuk i bindej një ushtri e cila nuk kishte një strukturë të përcaktuar. Aq tepër i angazhuar në reduktimin e rolit të Hashim Thaçit u tregua dëshmitari, Wesley Clark, sa pohoi se ai nuk qe në gjendje ti tregonte NATO-s, pozicionet e ushtrisë serbe në Kosovë. Ai rrëfeu për një takim në zyrën e tij në Bruksel, ku Thaçi nuk i ofroi dot të dhëna nga komandantët lokalë, se ku mund të bombardohej kundër trupave të Millosheviçit. “Nuk besoj që Thaçi ishte udhëheqës ushtarak i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” tha ai, duke vënë në dyshim gjatë dëshmisë edhe faktin nëse ai ka luftuar ose jo. “Më kujtohet që e kam parë Thaçin, sepse ishte zëdhënës. Ishte i pastër, i veshur mirë, dukej më perëndimor se të tjerët. Nuk dukej se kishte qenë në mal duke luftuar për një-dy vjet rresht. Ishte e qartë se nuk ishte përgjegjës aty, nuk komandonte aty”.

Kur u pyet nga prokurori se si e kishte kuptuar ai rolin e Hashim Thaçit në atë kohë, gjenerali në pension u përgjigj: “Si një lloj oficeri ndërlidhjeje”.

Kjo lloj taktike reduktuese e dëshmitarëve pro ish presidentit të Kosovës ka qenë një sjellje e paracaktuar e avokatëve mbrojtës të Thaçit për ti’u kundërvënë një akuze të rëndë, e cila nuk i fajëson ish komandantët për krime konkrete, por për shkak se si udhëheqës të UÇK-së kanë frymëzuar apo nuk kanë dashur të ndalojnë mbi 100 episode kriminale mbi qytetarë serbë apo shqiptarë, që kanë bashkëpunuar me okupatorin.
Kjo lloj taktike e ka detyruar edhe vetë Thaçin të minimizonte rolin e tij dhe të drejtorisë politike në udhëheqjen e luftës, duke i transferuar ato tek drejtuesit lokalë të veprimeve ushtarake.

Të njëjtin qëndrim mbajti kur doli të dëshmojë para gjykatës, në mes të shtatorit, edhe James Rubin, ish zv sekretarit amerikan të shtetit dhe njeriu i besuar i Madeleine Albright. Rubin i pyetur nga avokatët dhe prokurori vizatoi një lider më shumë figurant, një lloj ministri i jashtëm tha ai- që nuk i urdhëronte dot komandantët, por vetëm përcillte tek ndërkombëtarët versionin e tyre. Rubin theksoi se Thaçi nuk ka pasur autoritet dhe as fuqi për të ndikuar, se ai nuk i urdhëronte dot ata, se e gjithë organizata nuk kishte një strukturë vertikale, madje se elementëtëve të saj më ekstremistë u trembej edhe vetë Hashimi.

Dëshmia e James Rubin: Arrestimi i Thaçit ishte i pazakontë për një burrë shteti!

Edhe më të forta kanë qenë qëndrimet që ka mbajtur në sallën e gjyqit, ish krahu i djathtë i Hollbrukut, diplomati më përvojë, që ka marrë pjesë në bisedimet e Rambujesë dhe që e mbylli karierën e tij, së fundi, si ambassador i SHBA në Beograd, Cristopher Hill. Ai u paraqit para një jave para gjykatës së Hagës ku vuri në dyshim edhe faktin se Thaçi ka qenë themelues i UÇK-së. Kjo gjë e surprizoi edhe vetë gjykatësin, Christoph Barthe, i cili e pyeti diplomatin në pension: “Si ishte e mundur atëherë që Thaçi morri një rol kaq të madh në Rambuje dhe më pas në Qeverinë e përkohshme të Kosovës”? Hill u përgjigj: “Përshtypja ime është që ai ishte një bashkëbisedues i besueshëm, por nuk ishte vendimmarrës. Kjo përshtypje bënte kuptim kur ai na tha se nuk mund të pajtohej lidhur me atë që ishte bërë në Rambuje, dhe shembull na tha që nëse pajtohej pa u konsultuar kur të kthehej do ta vrisnin. Një vendimmarrës nuk e bën një koment të kësaj natyre. Unë e kam kuptuar se ai ishte i besuar për të mbledhur informacione. Atij i besohej të parashtronte argumentet e UÇK-së, por nuk ishte i besuar në vendimmarrje, nuk i ishte lënë në dorë vendimmarrja”.

Christopher Hill i pyetur nga avokati i Thaçit, lidhur me takimin me Sllobodan Millosheviçin, pranoi se diktatori serb i ka thënë se Thaçi “ishte person që torturon dhe vret njerëz”. Por ai këmbënguli se nuk kishte asgjë që sugjeronte se Thaçi ishte përfshirë në shkelje në të drejtat e njeriut, duke i qëndruar bindjes se drejtori politik i UÇK-së “nuk ishte aq i fuqishëm sa mund të shikohej nga jashtë”.

Pra po të analizohen të gjitha dëshmitë para gjykatës të diplomatëve dhe ushtarakëve më të rëndësishëm amerikanë që janë marrë me Kosovën, në kapërcyell të dy shekujve, del se historia nuk ka qenë e njëjtë me atë që i është treguar në vitet e fundit shqiptarëve.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top