Plani 20-pikësh i presidentit Donald Trump për vendosjen e paqes në Gaza u miratua nga Këshilli i Sigurimit në OKB, ku Kina dhe Rusia nuk votuan kundër, por abstenuan në këtë proces.
Këshilli i Sigurimit votoi për planin e hartuar nga Shtëpia e Bardhë, ku gjithashtu parashihet krijimi i një Force Ndërkombëtare Stabilizuese në Rripin e Gazës.
Për të kaluar rezoluta që mbështet këtë plan, në Këshillin e Sigurimit nuk duhet të përdoret e drejta e vetos nga anëtarët e përhershëm. Kjo u arrit për shkak se SHBA-ja, Britania dhe Franca votuan për, ndërsa Kina e Rusia abstenuan, por s’e bllokuan procesin.
Ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, para se të fillonte ky sesion tha se bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë e vendosur në çarmatosjen e Hamasit, ndërsa Izraeli do të sigurohet që kjo gjë do të ndodhë.
Plani i presidentit Trump përbëhet nga disa pika të rëndësishme që përfshijnë largimin e Hamasit nga Gaza dhe krijimin e një administrate paqësore që mbështetet nga forca të huaja.