Sali Berisha, pas daljes nga SPAK, deklaroi se nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar për t’u paraqitur në lidhje me hetimet për 21 janarin dhe se çdo pretendim i kundërt është, sipas tij, i pavërtetë. Ai tha se “nga data 3 deri sot, asnjë person nuk ka ardhur të më thotë orë dhe datë, të më dorëzojë një letër”, duke theksuar se as kutia postare e grupit parlamentar të PD nuk ka marrë njoftim, duke iu referuar deklaratës së Gazment Bardhit.
Berisha mohoi të ketë përdorur adresën elektronike zyrtare të parlamentit dhe tha se çdo komunikim i rëndësishëm mund t’i jepej në numrin e tij personal, të cilin, sipas fjalëve të tij, “e njeh e gjithë bota”. Ai pretendoj se SPAK po përdor emrin e tij për të devijuar vëmendjen nga çështjet që, sipas tij, përfshijnë “afera korruptive” të qeverisë.
Në lidhje me çështjen e 21 janarit, Berisha tha se nuk është thirrur kurrë nga prokuroria në të kaluarën dhe se ka qenë gjithmonë i gatshëm të paraqitet nëse do të ftohej. Ai përsëriti se protesta e 21 janarit ka qenë “protesta më e dhunshme që ka njohur vendi” dhe se hetimet e mëparshme kanë qenë të plota, duke çuar në disa dënime. Berisha theksoi se nuk ka pasur dijeni për servera apo materiale të tjetër lloji në Kryeministri, duke thënë se çdo pajisje e Gardës së Republikës është përgjegjësi e institucionit vetë.
Deklarata e Berishës
Tani, mbetet në historinë e turpit të Altin Troplinit, i cili për të zhurmuar aferën e tmerrshme korruptive të Edi Ramës dhe Lubi Ballukut, sajoi turpet, skenarin e turpshëm të ftesës time në SKAP për t’u pyetur si njeri që ka dijeni për ngjarjet e 21 janarit. Ftesa e parë e Altin Troplinit, sipas tij, mban datën 3 nëntor, pikërisht datën që unë isha këtu, isha para jush, isha në zyrat e Skapit.
Dhe donte jo njoftimin, por donte që mercenarët, puthadorët, lakejtë e qeverisë në media, të hapnin studiot televizive jo me Lubinë dhe Ramën dhe vjedhjet e tyre 90 milionë në tunelin e Llogarasë, 130-140 milionë në aeroportin e Vlorës, por se e ftuam, nuk e ftuam, nuk erdhi, tek erdhi. Këto janë gjëra të turpshme sepse ju duhet të qëndroni fort ndaj këtyre akteve të papërgjegjshme dhe të turpshme. Njoftim thuhet kur një person merr përsipër ta njoftojë ose kur njoftohet direkt personi. Në mënyrë absolute nga data 3 gjer sot, asnjë person nuk ka ardhur të më thotë orë dhe datë, të më dorëzojë një letër, dhe asnjë person nuk rezulton të ketë marrë përsipër një gjë të tillë.
Po, të sqaroj për postën elektronike. Unë kam dy posta elektronike, njërën e kam timen, tjetra është e parlamentit, të cilën nuk e përdor. E kam përdorur vetëm në një rast, në një korrespondencë, e detyrueshme të jetë nga parlamenti dhe jo nga emaili privat. Por unë kam një gjë tjetër. Unë kam një numër telefoni që e njeh e gjithë botë, që marr çdo ditë me qindra mesazhe dhe dokumente dhe aty nuk ka ardhur asnjë gjë.
Unë them çfarë ka thënë zoti Gazment Bardhi. Zoti Gazment Bardhi ka deklaruar sa vijon: në kutinë postare të grupit parlamentar të PD nuk ka ardhur asnjë njoftim dhe unë i besoj 100 herë më shumë atij se Altin Troplinit.
Nuk mund t’i besohet Troplinit. Pse ju i besoni?… …Zoti Peleshi nuk ka sjellë asgjë. Zoti Peleshi le të provojë që e ka sjellë. Po unë nuk mund ta mohoj po ta kishte sjellë. Tani njëherë më thoni grup parlamentar, tani thoni zoti Peleshi.
Po të vësh dorën në zjarr për Peleshin, të digjet dora dhe trupi. Muhabet është ai? Të më pyesësh për Peleshin mua… Tani, në radhë të parë të sqarojmë këtë moment. Momenti i dytë është absolutisht unë për çdo thirrje në gjykatë apo prokurori, unë paraqitem, ai është ligji im, ligj i pandryshuar i jetës time. Jam paraqitur dhe do paraqitem. Madje për temën, plotësisht, ndonëse është një temë, një çështje, një dosje e hetuar gjerësisht nga armiqtë e mi, armiqtë e egër publikë të Sali Berishës, ju e dini vetë si ka qenë Ina Rama, pra për këtë temë që është gjykuar, sikur të isha thirrur 10 herë, 10 herë do kisha shkuar. Nuk jam thirrur asnjëherë sepse kanë pasur frikë nga dëshmitë. Kanë pasur frikë për dëshmitë e mia…
Siç dëgjove, kjo çështje është hetuar dhe janë dhënë një seri dënimesh. Për këtë çështje, Sali Berisha ka bërë deklaratë në darkën e asaj nate. Nuk është thirrur asnjëherë, as edhe një herë të vetme, përkundrazi kanë biseduar me mua të huaj, zyrtarë të lartë të ndryshëm, dhe nuk më ka thirrur prokuroria e shtetit, nuk më kanë thirrur asnjëherë sepse kanë pasur frikë nga dëshmitë e mia. Sepse ajo ishte demonstrata më e dhunshme në historinë e vendit dhe se ka deklarata të vendeve më të fuqishme të planetit se PS kishte axhendë dhune.
Pra, axhenda e dhunës. Dhe cilido që e hap në sekuencat më minimale, sheh aty mijëra gurë duke vërshuar drejt mbrojtësve të ndërtesës, sheh plumba në dritaret e ndërtesës, vrima plumbash, sheh xhama të thyer me gurë, sheh automjete që duan të thyejnë derën. Pra, kjo ishte protesta më e dhunshme që ka njohur vendi. Dhe ka një përcaktim ndërkombëtar se PS kishte një axhendë dhune. Pra, në rast se do isha thirrur, absolutisht do kisha shkuar sa herë të isha thirrur. Por nuk jam unë, janë ata që nuk më kanë thirrur.
Nuk kam asnjë dijeni për këtë. Kryeministria nuk ka pasur asnjë lloj serveri për vëzhgimin. Në qoftë se Garda ka pasur serverin aty, është punë tjetër. Garda në kryeministri, në presidencë, në ministritë, kudo ka një zyrë të veten sepse ata kanë përsipër sigurinë. Çfarë mbajnë aty, është punë e tyre. Çfarë ka ndodhur është hetuar. Është një hetim i plotë, i bërë për vite dhe ka dënime përkatëse. Kështu që unë nuk jam thirrur asnjëherë. Meqë e ndjek këtë punë, a mos e ka konsideruar edhe Sali Berisha vrasje shtetërore? Jo, jo, a mos e ka thënë Sali Berisha i pari para Strasburgut këtë? Për të qenë konsekuente me veten tënde, jam unë i pari që e kam quajtur pasi njëherë u tha se ishte nga afër, u bë ekspertiza, u tha nuk janë nga afër, se kishte një ekspertizë kirurgësh dhe kirurgu e ka mbrojtur edhe dy vite më parë atë ekspertizë. Por, ekspertiza tjetër tregoi se nuk ishin plagë nga afër dhe unë bazuar në atë e kam quajtur vrasje shtetërore.