Kosova ka shënuar një fitore të madhe dhe plotësisht të merituar në Lubjanë, duke mundur Slloveninë me rezultat 0-2 në ndeshjen e raundit të pestë të fazës së grupeve në eliminatoret për Kampionatin Botëror. Franko Foda e të tijtë, me këtë triumf, arrijnë në kuotën e 10 pikëve, duke siguruar matematikisht një vend në playoff. Vendosi Fisnik Asllani, por ajo që po tregojnë dardanët në këtë fushatë historike është vërtetë impresionuese.
Askush nuk u përmbajt në Ljubjanë, me festën që nisi në dhomat e zhveshjes. Euforisë iu bashkua edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi, që në fjalën e tij, u shpreh i bindur se Kosova do të shkojë në Botëror. “Kjo që keni arritur është ‘kapaku’, pa marr parasysh çfarë ndodh pas. Unë besoj që do të kualifikohemi”, ka thënë Ademi.
Edhe kapiteni i Kosovës Amir Rrahmani ka mbajtur një fjalim para shokëve të skuadrës pas arritjes historike, në playoff të Kupës së Botës 2026. “Secili prej nesh ka merita. Ka pasur sakrifica, edhe ata që nuk kanë zhvilluar asnjë minutë, që kanë ardhur gjithë, që kanë bërë stërvitje. Si Edoni që s’ka luajtur sot, secili keni merita. Nga tash duhet të bëhemi gati për mars, shpresoj të kualifikohemi”.
Ndërkohë, Kosova kundërshtarët e play-offit do t’i mësojë qysh të premten e ardhshme. Sidoqoftë, fillimisht “Dardanët” do ta zhvillojnë një përballje ndaj Zvicrës në “Fadil Vokrri”, në mbyllje të fushatës kualifikuese.