Justin Baldoni ka bërë një deklaratë të re tronditëse në dokumentet gjyqësore të paraqitura së fundmi, duke pohuar se një takim i tensionuar me Ryan Reynolds e ka “paralizuar emocionalisht”.
Sipas dokumenteve të siguruara nga People, regjisori i “It Ends With Us” shkroi në mesazhe të dërguara aktorit Rainn Wilson se u “përball papritur” me Reynolds në apartamentin e tij dhe Blake Lively në New York, në janar 2024.
“Ryan më fliste si një fëmije pesëvjeçar, duke më qortuar,” shkroi Baldoni. “Më akuzuan se unë dhe Jamey [Heath] nuk jemi ata që pretendojmë, dhe se podcast-i ynë i bën njerëzit të ndihen të pasigurt.”
Baldoni pretendon se actor i “Free Guy” i lexoi një listë akuzash nga telefoni, të cilat aktori i cilësoi “plotësisht jashtë kontekstit”.
“E dhimbshme të shohësh që ajo çfarë besojnë për mua është kaq larg së vërtetës,” shkroi ai. “U paralizova emocionalisht… diçka që nuk më ka ndodhur prej vitesh.” Ai shtoi se mendoi ta “shkatërronte gjithë filmin” për shkak të padrejtësisë që ndjeu gjatë asaj nate.
Në mesazhe, Baldoni thotë se gjatë xhirimeve të filmit me temë dhunën në familje, Lively e kishte përshkruar eksperiencën e saj si “më të keqen e jetës”. Ai pretendon se ajo dhe të tjerë e kishin perceptuar sjelljen e tij në set si “të çuditshme” dhe “të papërshtatshme”.
Në dhjetor 2024, Blake Lively, 38 vjeç, paditi Baldonin, 41, duke kërkuar miliona dollarë për dëme emocionale dhe pretenduar ngacmim seksual gjatë xhirimeve. Baldoni e mohoi kategorikisht çdo akuzë dhe, në janar, paraqiti një kundërpadi prej 400 milionë dollarësh kundër Lively, Reynolds dhe të tjerëve. Por gjykata e rrëzoi kundërpadinë në qershor.
Një gjyq i plotë pritet të zhvillohet në mars 2026 në New York.