Reuters duke ju referuar dy zyrtarëve me njohuri për planin raporton se marrëveshja, e cila është në proces negociatash, është pjesë e një plani për të modernizuar Forcat e Armatosura Greke, duke u fokusuar tek mbrojtja ajrore evendit.
Athina ka njoftuar se do të shpenzojë rreth 28 miliardë euro deri në vitin 2036 për të përmirësuar aftësitë e saj mbrojtëse, ndërsa rimëkëmbet nga një krizë borxhi e viteve 2009-2018 dhe përpiqet të konkurrojë me rivalin e saj historik në Egje, Turqinë.
Sipas marrëveshjes, rreth tre miliardë euro do të drejtohen për krijimin e një sistemi shumështresor anti-ajror, i cili do të quhet “Mburoja e Akilit” dhe do të jetë në gjendje të përballojë sulmet me dronë.
Në të njëjtën kohë, Athina planifikon të blejë avionë luftarakë të rinj të fshehtë, fregata dhe nëndetëse nga SHBA-ja dhe Evropa.
Zyrtarët zbuluan se Greqia synon të blejë 36 sisteme artilerie PULS dhe sisteme anti-ajrore për “Akilin”.
Negociatat me Izraelin do të intensifikohen muajin e ardhshëm, tha një nga zyrtarët për Reuters , duke shtuar se kompanitë greke do të ndërmarrin rreth 25% të projektit.
Vlera e 36 sistemeve të artilerisë PULS, të prodhuara nga kompania izraelite Elbit, është 650 milionë euro. Sistemet do të përdoren për të mbrojtur kufirin lindor të Greqisë me Turqinë.
Zyrtari i dytë konfirmoi për Reuters se negociatat për blerjen e sistemeve të artilerisë dhe anti-ajrore janë duke u zhvilluar. Ministria izraelite e Mbrojtjes, megjithatë, nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të Reuters për koment.
Greqia, e cila tashmë përdor sistemet Patriot të prodhuara në SHBA për mbrojtjen ajrore, dëshiron të zëvendësojë sistemet e vjetra ruse OSA, TOR-M1 dhe S-300.
Në vitin 2024, vendi kishte shprehur interes për të blerë sisteme moderne anti-ajrore dhe artilerie nga Izraeli, por operacionet e saj ushtarake në Gaza i shtynë diskutimet.