Ndeshjen e fundit të vitit 2025, Argjentina do ta luajë në Luanda, ku do të zhvillojë një miqësore kundër Angolës. Kampionët e botës janë tashmë të kualifikuar për Kupën e Botës 2026 dhe po shfrytëzojnë dritaren e ndeshjeve të nëntorit për të fluturuar drejt Afrikës, për të luajtur një ndeshje që ka shkaktuar një sërë polemikash — nga shuma e përfolur që Angola ka paguar, deri te rreziku nga ethet e verdha.
Shuma e paguar nga Angola është e jashtëzakonshme
Miqësorja midis Angolës dhe Argjentinës ka lindur që në fillim me polemika, për shkak të dymbëdhjetë milionë dollarëve që, sipas raporteve, federata angolane do të ketë paguar për të sjellë Argjentinën në Luanda. Një miqësore me një vlerë që shkon përtej sportit. Rasti është 50-vjetori i pavarësisë së ish-kolonisë portugeze, e cila në vitin 1975 u shkëput nga Portugalia pas një lufte që zgjati 14 vjet. Në “Stadiumin 11 Nëntori” do të zbresë në fushë edhe Leo Messi, në krah të tij Lautaro Martinez dhe lojtarët e Comos, Nico Paz dhe Perrone.

Tre lojtarë jashtë listës, për shkak të mungesës së vaksinës
Messi dhe Lautaro, mes yjeve, do të jenë të pranishëm në Angola. Por do të mungojnë tre lojtarë të Atletico Madrid: Julian Alvarez, Nahuel Molina dhe Giuliano Simeone. Të tre do të mbeten në shtëpi për shkak të vaksinës. Po, saktësisht. Tre lojtarët nuk kanë përfunduar rregullisht ciklin e vaksinimit të nevojshëm për të udhëtuar në Angola.
Të tre lojtarët e Atletico Madrid nuk kanë përfunduar me kohë procedurat e vaksinimit të detyrueshëm kundër etheve të verdha. Federata e ka zyrtarizuar lajmin duke theksuar se lojtarët do të qëndrojnë në Madrid: “Tre lojtarët e Atletico Madrid janë përjashtuar sepse nuk kanë përfunduar dokumentacionin shëndetësor të kërkuar për vaksinimin kundër etheve të verdha, i nevojshëm për të hyrë në Angola.”
Sigurisht, disa e kanë parë këtë si diçka me prapaskenë, duke pasur parasysh që lojtarët e Atletico Madrid shmangin një miqësore dhe, gjatë dy javëve të pushimit, përgatiten normalisht për ndeshjet e ardhshme — përfshirë atë të 26 nëntorit kundër Interit në Champions League.