Kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu, i cili u shkarkua nga detyra dhe u arrestua më herët këtë vit, përballet me deri në 2.352 vjet burg në një çështje të gjerë korrupsioni që përfshin akuza për mashtrim, ryshfet dhe krim të organizuar, njoftuan të martën prokurorët.
Në një deklaratë, Zyra e Kryeprokurorit të Stambollit bëri të ditur se një aktakuzë është përgatitur nga Byroja e Hetimit të Krimit të Organizuar, si pjesë e një hetimi që e përshkruan si “organizatën kriminale Imamoglu”, raportojnë mediat e huaja sipas Telegraph.
Imamoglu, një nga figurat kryesore të opozitës nga Partia Popullore Republikane (CHP) dhe rivali më serioz politik i Presidentit Rexhep Taip Erdogan, u arrestua në mars së bashku me 105 persona të tjerë, në kuadër të një hetimi të gjerë.
Ai i ka mohuar të gjitha akuzat.
Kryeprokurori Akin Gurlek u tha gazetarëve se hetimi është përfunduar dhe se prokurorët kanë përgatitur një aktakuzë prej 3.900 faqesh, që përfshin 143 vepra të ndryshme penale dhe 402 të pandehur.
“Kemi punuar shumë intensivisht. Janë gjithsej 3.900 faqe. Do të ngremë padi kundër 402 personave. Ka 143 akte të ndryshme. Ekrem Imamoglu është themeluesi dhe drejtuesi i organizatës,” – është cituar të ketë thënë Gurlek.
Ai shtoi se çështja fokusohet në akuzat për manipulim të tenderëve bashkiakë dhe blerje të paligjshme pronash gjatë periudhës kur Imamoglu ishte kryebashkiak i Stambollit.
“Mënyra se si janë ndërtuar proceset e tenderimit është shumë e rëndësishme. Këto gjenden të gjitha në dosje. Korrespondenca është shtuar drejtpërdrejt në dosjen e gjyqit,” – shtoi Gurlek.
Sipas tij, në provat e përfshira në dosje janë përfshirë edhe mesazhe WhatsApp të kryebashkiakut të Beylikduzu-t, Mehmet Murat Calik, një aleat politik i Imamoglut, ku disa nga komunikimet përmbajnë, sipas prokurorisë, “pranime”.
Prokurorët pretendojnë se krimet janë kryer përgjatë një dekade, duke shkaktuar një dëm financiar publik prej rreth 3.8 miliardë dollarësh.
Autoritetet kanë identifikuar 95 prona të paluajtshme që dyshohet se lidhen me çështjen, megjithëse vlerësimet nuk janë bazuar në çmime të tregut aktual.
Në aktakuzë thuhet se për Imamoglun kërkohet një dënim me burgim nga 828 deri në 2.352 vjet.