Raporti i kredive me probleme u rrit për të tretin muaj radhazi në shtator. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, ky tregues arriti nivelin 4.37%. Treguesi i kredive me probleme ka arritur nivelin më të lartë që prej nëntorit të vitit të kaluar. Me bazë vjetore, megjithatë, ky raport ngelet ende në rënie. Një vit më parë, kreditë me probleme përbënin 4.58% të portofolit. Ecuria e treguesit të kredive me probleme po fillon të justifikojë shqetësimet e lidhura me rritjen shumë të shpejtë të kredisë në dy vitet e fundit.
Në fund të muajit shtator, portofoli i kredisë për ekonominë arriti në 901.6 miliardë lekë, në rritje me 10.9% me bazë vjetore. Rritja vjetore e portofolit është ngadalësuar lehtë krahasuar me vitin 2024, por sidoqoftë ngelet në ritme dyshifrore dhe pranë niveleve më të larta në 16 vitet e fundit. Ndërkohë, raporti i kredive me probleme e ka frenuar rënien, madje në tremujorin e fundit po shfaq një tendencë të lehtë në rritje.
Mund të vlerësohet se stoku i kredive me probleme është rreth 39.4 miliardë lekë, nga 34.9 miliardë lekë që kishte qenë në fund të vitit të kaluar dhe 37.2 miliardë lekë që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Që nga fillimi i këtij viti, stoku i kredive me probleme është rritur me 12.8%. Raporti i Stabilitetit Financiar i Bankës së Shqipërisë tregoi se qysh në gjysmën e parë të këtij viti sektori bankar ka regjistruar më shumë kredi të reja me probleme, kundrejt vlerës së kredive me performancë normale. Fluksi vjetor i kredive të reja me probleme ishte sa 1.9% e kredive të rregullta, nga 1.7% dhe 1.8% një gjashtëmujor dhe një vit më parë.
Në mesin e këtij viti, nisi edhe aplikimi i disa masave kufizuese të vendosura nga Banka e Shqipërisë në treguesit e administrimit të riskut të lidhura me huadhënien për blerjen e banesave. Banka qendrore u ndaloi bankave financimin e blerjes së banesave në masën 100% dhe përcaktoi gjithashtu kritere të detyrueshme për raportin e këstit të kredisë ndaj të ardhurave (duke lejuar sidoqoftë një marzh përjashtimi prej 15% nga kufizimet e mësipërme).
Në tremujorin e parë të aplikimit, masat kufizuese nuk kanë arritur të frenojnë rritjen e kredisë për shtëpi. Statistikat e Bankës Qendrore tregojnë se në tremujorin e tretë 2025 sektori bankar dha gjithsej rreth 13.8 miliardë lekë kredi të re për blerjen e banesave, me një rritje prej 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithatë, është e pritshme që masat kufizuese të sjellin gradualisht një ngadalësim të rritjes së kredisë. Ngadalësimi i rritjes së portofolit, në kushtet kur kreditë e këqija po shfaqin një tendencë në rritje, ka shumë të ngjarë të sjellë edhe një rritje të mëtejshme të raportit të kredive me probleme./Monitor.al