Ndërsa Rusia filloi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës pothuajse katër vjet më parë, Volodymyr Kudrytskyi, atëherë kreu i kompanisë shtetërore të energjisë elektrike të Ukrainës, Ukrenergo, po përpiqej me çdo mënyrë të mbante dritat ndezur.
Në një mënyrë apo tjetër, ia doli. Ai arriti ta mbajë sistemin energjetik funksional vit pas viti, duke fituar respektin e drejtuesve të industrisë së energjisë në mbarë botën, pasi garantoi që vendi të përballonte sulmet me raketa e dronë ruse ndaj rrjetit elektrik dhe të shmangte ndërprerjet katastrofike të energjisë derisa, papritur, u detyrua të jepte dorëheqjen në vitin 2024.
Shkarkimi i Kudrytskyit u dënua nga shumë zëra në industrinë e energjisë dhe ngjalli alarm edhe në Bruksel.
Në atë kohë, Kudrytskyi i tha POLITICO-s se ishte viktimë e centralizimit të pamëshirshëm të pushtetit që presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe shefi i fuqishëm i zyrës së tij, Andriy Yermak, shpesh e zbatojnë. Ai tha se kishte frikë se “individë të korruptuar” do të përfundonin duke marrë kontrollin e kompanisë shtetërore të energjisë.
Sipas mbështetësve të tij, pikërisht kjo lloj të folure dhe refuzimi për të heshtur, shpjegon pse Kudrytskyi përfundoi në një kabinë xhami në një gjykatë në qendër të Kievit javën e kaluar, ku u akuzua për përvetësim fondesh.
Tani, deputetë të opozitës dhe aktivistë të shoqërisë civile janë ngritur në këmbë, duke e cilësuar këtë si një tjetër shembull të përdorimit nga udhëheqja ukrainase të drejtësisë si armë politike, për të frikësuar kundërshtarët dhe heshtur kritikët, duke i akuzuar për korrupsion ose bashkëpunim me Rusinë. Zyra e Zelenskyyt nuk pranoi të komentojë.
Ndër ata që kanë pësuar të njëjtin trajtim është edhe paraardhësi i Zelenskyyt, Petro Poroshenko, i cili këtë vit është sanksionuar dhe akuzuar për korrupsion, një lëvizje që mund ta pengojë të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme.
Sanksionet shpesh janë përdorur ose kërcënuar ndaj kundërshtarëve politikë, duke ngrirë asetet dhe duke i penguar ata të kryejnë çdo transaksion financiar madje edhe përdorimin e kartave të kreditit apo llogarive bankare.
Pas kësaj, Poroshenko e ka akuzuar Zelenskyyn për “autoritarizëm në rritje” dhe përpjekje për të “hequr çdo rival nga skena politike”.
Kjo mund të shpjegojë edhe pse Kudrytskyi është vënë nën akuzë, thotë deputeti opozitar Mykola Knyazhitskiy, i cili beson se përdorimi i gjykatave për të diskredituar kundërshtarët vetëm sa do të përkeqësohet, ndërsa zyra e presidentit përgatitet për një zgjedhje të mundshme presidenciale vitin e ardhshëm, në rast se arrihet një armëpushim.
Sipas tij, ata po përdorin drejtësinë “për të pastruar fushën nga konkurrentët” dhe për të përgatitur “zgjedhje të pandershme”.
Të tjerë, përfshirë aktivisten e njohur ukrainase dhe drejtoreshën e Qendrës për Veprim Kundër Korrupsionit, Daria Kaleniuk, argumentojnë se presidenti dhe rrethi i tij po përdorin luftën për të monopolizuar pushtetin në një masë që rrezikon demokracinë e vendit.
Kaleniuk ishte e pranishme në gjykatë gjatë seancës dy-orëshe të Kudrytskyit, dhe përsëriti pretendimin e ish-drejtorit të energjisë se ndjekja penale ndaj tij është “politike”.
Sipas saj, rasti nuk ka asnjë kuptim ligjor, dhe gjithçka u bë edhe më e çuditshme kur prokurori lexoi akuzat: “Ai nuk arriti të tregonte që kishte përfituar materialisht në ndonjë mënyrë”, – shpjegoi Kaleniuk, duke shtuar se kontrata e përmendur nuk ishte realizuar asnjëherë.
Rasti lidhet me një kontratë që Kudrytskyi e kishte miratuar shtatë vjet më parë, kur ishte zëvendësdrejtor për investimet në Ukrenergo. Por nënkontraktori nuk kishte filluar as punimet, dhe kompania shtetërore kishte arritur të rikuperonte pagesën.

Këto shqetësime i ndan edhe deputetja e opozitës Inna Sovsun, e cila i tha POLITICO-s: “Nuk ka asnjë provë që [Kudrytskyi] është pasuruar.” “Nuk është shkaktuar asnjë dëm. Nuk mund të mos mendoj se e gjithë kjo është e motivuar politikisht.”
Sovsun mori pjesë në seancë për t’u ofruar si garante për lirimin me kusht të Kudrytskyit, dy deputetë të tjerë ofruan të bënin të njëjtën gjë, por gjykatësi vendosi një mënyrë tjetër: lirimin kundrejt një garancie prej 325 mijë dollarësh.
Një këshilltar i lartë i qeverisë ukrainase, i cili foli në kushte anonimiteti për të komentuar rastin, hodhi poshtë pretendimet se çështja është politike dhe se akuzat për përvetësim janë të pabaza:
“Njerëzit duhet të presin deri në përfundimin e gjykimit,” – tha ai.
Por për ish-zëvendëskryeministren Ivanna Klympush-Tsintsadze, çështja “nuk duket mirë nga asnjë këndvështrim, as brenda vendit, as përballë partnerëve ndërkombëtarë.” Sipas saj, koha është veçanërisht e papërshtatshme, pasi përkon me përpjekjet e Kievit për të siguruar ndihmë energjetike nga Evropa përpara dimrit që pritet të jetë më i vështiri i luftës.
Me Rusinë që po intensifikon sulmet me raketa e dronë në një shkallë shumë më të madhe se më parë, sfida energjetike e Ukrainës pritet të jetë edhe më e rëndë.
Ndryshe nga dimrat e mëparshëm, sulmet ruse po synojnë tani edhe puset, depozitat dhe infrastrukturën e shpërndarjes së gazit natyror, përveç rrjetit elektrik. 60 për qind e ukrainasve varen nga gazi natyror për të ngrohur shtëpitë e tyre.
Disa drejtues të industrisë energjetike në Ukrainë kanë frikë se ndjekja penale ndaj Kudrytskyit mund të jetë një manovër paraprake për ta kthyer atë në “kurban politik”, në rast se rrjeti energjetik nuk arrin të përballojë sulmet ruse këtë dimër.
Duke cituar burime anonime, para dy javësh Ukrainska Pravda raportoi se ish-drejtues të sektorit të energjisë kanë frikë se po përgatiten të fajësohen për mosmarrjen e masave të mjaftueshme për forcimin e infrastrukturës.
“Tani atyre u duhet një fajtor,” – tha për POLITICO një ekspert i politikës së jashtme që ka këshilluar qeverinë ukrainase.
“Ka zona të Ukrainës që ndoshta s’do të kenë energji deri në pranverë. Tani në apartamentet e Kievit janë vetëm 10 gradë Celsius dhe qyteti mund të përballet me ndërprerje të gjata të energjisë. Njerëzit janë tashmë të irrituar për këtë, ndaj zyra e presidentit ka nevojë për fajtorë,” – shtoi ai.
“Opozita do ta akuzojë Zelenskyyn se po e çon Ukrainën drejt dështimit dhe do të thotë se ai duhej të kishte parashikuar skenarë për të shmangur ndërprerjet e gjata të energjisë apo ngrirjen masive,” – shtoi ai.
Adrian Karatnycky, studiues i lartë në Atlantic Council dhe autor i librit “Battleground Ukraine”, gjithashtu shpreh shqetësim për drejtimin që ka marrë pushteti politik në Kiev:
“Megjithëse ai është një udhëheqës frymëzues dhe trim në kohë lufte, ekzistojnë, pa dyshim, elementë shqetësues në mënyrën si po qeveris Zelenskyy,” – tha ai./Politico.eu