Gjëja më e shtrenjtë që ka blerë C. Ronaldo, kushton 50 milionë: “Kam nevojë për të”

Cristiano Ronaldo sapo ka blerë një avion personal që kushton 50 milionë – jo për luks të tepruar apo për dëshirë, por sepse për të është një nevojë: “Kam nevojë për të, nuk jam normal”. Përndryshe, kampioni portugez 40-vjeçar nuk do të kishte nxjerrë kurrë atë shumë, pasi ai është shumë i kujdesshëm për të mos shpërdoruar paratë e tij – që megjithatë janë shumë, madje tepër shumë. Para pak ditësh, Ronaldo u certifikua nga Bloomberg si futbollisti i parë miliarder, por ai shpjegon – në intervistën për mikun e tij Piers Morgan – se ishte i tillë prej kohësh dhe këtë e dinte mirë.

“Nuk është e vërtetë, jam miliarder prej shumë vitesh. Si e di? Epo, njoh paratë e mia, duhet të kujdesesh për gjërat e tua. Është normale. Nuk jam nga ata që shoh detajet, por kam njerëz rreth meje që më ndihmojnë të bëj gjërat e duhura në çdo fushë; për financat kam një njeri me të cilin flas pothuajse çdo ditë, për strukturën time, investimet, mundësitë. Dhe unë e mbaj kontrollin, sepse është jeta ime, janë paratë e mia.”

Cristiano Ronaldo: “E dija që do të bëhesha miliarder”
Është hera e parë që Ronaldo flet kaq hapur për veten si për një kompani, që në fakt është, përveçse golashënuesi më vdekjeprurës në historinë e futbollit (952 gola deri tani mes Al Nassr dhe Portugalisë, me shifrën legjendare të 1000 gjithnjë e më afër). “Si ishte momenti kur kuptova që isha bërë miliarder? E dija që do të ndodhte, ndaj isha i përgatitur – përgjigjet me vetëbesimin e tij të zakonshëm – Ishte çështje kohe. Sinqerisht, isha shumë i lumtur. Është si kur fiton Topin e Artë sepse i ke vendosur vetes objektivat e tua. Të gjithë kanë objektivat e tyre – të ndërtojnë një shtëpi, të kenë një makinë – dhe objektivi im ishte të arrija atë numër, po them të vërtetën”.

Lexo më tej: Cristiano Ronaldo, futbollisti i parë miliarder në histori
“Nuk jam i fiksuar pas parave: mendoj se paratë mund të të ndihmojnë në shumë mënyra, por kur arrin një nivel të caktuar, paratë nuk kanë më rëndësi, sipas meje. Por është gjithmonë bukur të kesh më shumë, sepse jemi njerëz. Nuk jemi kurrë plotësisht të lumtur me atë që kemi. Kështu që isha shumë i lumtur, sepse ishte një nga objektivat kryesorë që kisha në mendje. Përveç trofeve të futbollit, Ligës së Kampionëve, Topave të Artë, gjithçkaje. Financiarisht dhe në biznes, ky ishte objektivi im.”

Nëse ka diçka për të cilën askush nuk mund ta akuzojë portugezin Ronaldo, ajo është modestia e rreme. Pesë herë fituesi i Topit të Artë nuk ka frikë të duket si mendjemadh kur thotë se “të jesh i vetmi miliarder në futboll nuk më habit shumë, sepse nëse sheh historinë e futbollit, të tjerët s’mund të flasin, mund të më quajnë si të duan, por numrat nuk gënjejnë. Kjo është diçka që e them gjithmonë dhe do të vazhdoj ta them: nëse sheh shumë rekorde në futboll, Cristiano është në krye të listës. Pra, është edhe një rekord tjetër. Ndaj sinqerisht nuk më habit, sepse e dija potencialin tim në futboll dhe jashtë futbollit. E dija që do ta arrija atë numër për shumë arsye”.

Lexo më tej: Pse Cristiano Ronaldo postoi moton e Juventusit duke marrë miliona pëlqime
Ronaldo pastaj forcon koneptin: “Dua të them, gjithçka lidhet me performancat e mia. Kjo ishte strategjia ime disa vite më parë: i thosha vetes, nëse vazhdon të jesh në majë, ai numër do të të arrijë, sepse gjithçka lidhet me këtë. Ky ishte plani im. Nëse më pyet nëse mendoja se do ta arrija kaq shpejt, të përgjigjem ndoshta jo, por e dija që do ta arrija.”

Në atë moment Piers Morgan bën shaka për vlerën e madhe të orës që Ronaldo mban në dorën e majtë, por Cristiano shpjegon se nuk i ka shpenzuar ai të gjitha ato para… “Është dhuratë, nuk mund të them jo. Kam një marrëdhënie sponsorizimi me Jacob (markë orësh luksoze), ndaj nuk e kam blerë me paratë e mia. Kam sponsorin.”

Ronaldo e avioni personal: “Për mua i domosdoshëm e jo luks”
Avioni personal, ai jo, nuk ka qenë dhuratë. Cristiano e ka blerë vetë, duke futur dorën në xhep, por vetëm sepse është ‘i detyruar’ ta bëjë këtë, pasi udhëton shumë dhe nuk mund të vendosë fjalë për fjalë këmbën në një aeroport apo të hipë në një avion linje si të gjithë njerëzit ‘normalë’: “Cila është gjëja më e shtrenjtë që kam blerë ndonjëherë? Një avion. Kam avionin tim personal që kur isha 30 vjeç, por e kam ndërruar një vit më parë. Tani kam një Global Express, pas 10 vitesh e ndërrova për një më të mirë.”

Në fillim të vitit 2025, Ronaldo zëvendësoi Gulfstream G200 me një Bombardier BD-700-1A10 Global Express XRS, me një vlerë rreth 50 milionë euro. Cristiano nuk kurseu as për opsionet shtesë, as për ngjyrimin e avionit, ku janë të stampuara qartë logoja e tij CR7 dhe një siluetë që kujton festimin e tij të famshëm: “Por tani jam në një moment të jetës sime kur nuk më interesojnë më gjërat materiale – përsërit kampioni nga Madeira – Ëndrrat e mia tashmë janë realizuar; kur isha i ri, më pëlqente të ngisja makina dhe të kisha të gjitha ato gjëra, nuk e kam më atë pasion”.

“Avionin e kam vetëm sepse më duhet, sepse nuk jam një person normal. Nuk mund të qëndroj në aeroporte. E blej për këtë arsye. Sigurisht, më ndihmon, më jep komoditet. Por nuk e kërkoj më. Dua vetëm të jem i lumtur, të shijoj jetën. Siç thotë Carl Jung, pas moshës 40-vjeçare është momenti kur vërtet e njeh dhe fillon ta jetosh jetën. Kjo është ajo që po filloj të ndjej: për mua, paratë janë një gjë e mirë, por nuk janë më të rëndësishme.”

Me citimin e psikoanalistit dhe filozofit zviceran, Cristiano lë të kuptohet se tani që e ka kaluar atë moshë, është gati për kapituj të rinj në jetën e tij – jo më pak të frytshëm dhe të suksesshëm. Dhe pasi dëgjon sigurinë e jashtëzakonshme me të cilën flet për veten, mund të thuhet me siguri se ai miliard nuk do të mbetet i vetmi…

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top