Ekonomia artizanale ka potencial të lartë por sfidat mbeten të shumta

Artizanati dhe produktet autentike, nën shkëlqimin turistik të Shqipërisë, mund të kthehen në një potencial të jashtëzakonshëm por për të arritur këtë, sfidat dhe palët që duhet të angazhohen janë të shumta.

Armando Muça, Drejtor Ekzekutiv i qendrës etnokulturore “Albanian Night”, që ka në fokus rigjallërimin e trashëgimisë shqiptare, shprehet se turizmi ka dhënë efektin e tij të parë, por jo të njëjtë për të gjithë.

Ai parashtron avantazhet që kanë produktet me identitet përballë konkurrencës së importit, nevojën për të pasur një strategji mbi orientimin që duhet t’i jepet këtij segmenti dhe ndërgjegjësimit të të gjithëve për të zgjedhur së pari “Made in Albania”.

“Albanian Night” përpiqet, ndër të tjera, të ekspozojë e promovojë produktet artizanale shqiptare dhe prodhime tipike vendase duke ofruar edhe përvoja degustimi të lidhura me to. Si e shihni rolin e bizneseve të profilit tuaj, në ndërkombëtarizimin e suvenireve shqiptare apo produkteve tradicionale “Made in Albania”?

Nëse udhëtojmë në qytetet kryesore turistike të Shqipërisë do të vërejmë se një pjesë e konsiderueshme e suvenireve të ofruara janë produkte të importuara nga Turqia dhe Kina, të etiketuara si “Made in Albania”.

Ky fenomen nuk është vetëm në kundërshtim me ligjin, por ka edhe pasoja negative për ekonominë artizanale vendase duke e privuar atë nga mundësia për të shitur dhe për të promovuar produktet autentike shqiptare.

Qendra jonë e ka adresuar këtë problem duke krijuar një hapësirë prej 600 m², ku turistët kanë mundësi të blejnë suvenire autentike artizanale shqiptare. Modeli ynë i biznesit është i thjeshtë por efektiv: klientët, shumica e të cilëve janë të huaj, qëndrojnë për 30-40 minuta para se të fillojë shfaqja dhe gjatë kësaj kohe janë të ekspozuar ndaj produkteve.

Përvoja ka treguar se pjesa më e madhe e tyre përfundon duke bërë blerje, duke e kthyer këtë hapësirë në një burim të qëndrueshëm të të ardhurave. Vetëm në 10 muaj, qendra jonë ka pritur mbi 32.000 vizitorë duke krijuar ndikim të ndjeshëm në promovimin dhe shitjen e produkteve artizanale.

Në nivel më të gjerë, nëse bizneset që operojnë në sektorin e turizmit do të krijonin hapësira të ngjashme për promovimin e prodhimeve artizanale, do të kishim efekt të shumëfishtë: përfitim për bizneset përmes një burimi të ri të të ardhurave, përfshirje më aktive të ekonomisë artizanale në industrinë e turizmit dhe promovim ndërkombëtar të produktit vendas.

Për më tepër, në muajin nëntor(intervista u zhvillua në fund të tetorit), planifikojmë të prezantojmë dyqanin tonë online, që do t’u mundësojë klientëve që kanë vizituar qendrën të blejnë produktet edhe pas kthimit në vendet e tyre.

Ky hap do të rrisë shitjet dhe do të hapë mundësi për të hyrë në tregje më të gjera ndërkombëtare. Potenciali ekonomik është i konsiderueshëm, me përfitime të përbashkëta për të gjithë aktorët në zinxhirin e turizmit dhe artizanatit shqiptar.

Si do ta përshkruanit sot gjendjen e prodhimit artizanal në Shqipëri? A ka një ringjallje të zejtarëve tradicionalë apo po dominojnë produktet industriale?

Gjendja e prodhimit artizanal në Shqipëri sot reflekton një udhëkryq të rëndësishëm për ekonominë vendase.

Pas takimeve dhe vlerësimeve të më shumë se 1,200 artizanëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Mal të Zi, mund të konkludohet me bindje se sektori artizanal ka potencial të jashtëzakonshëm, por për të arritur sukses të qëndrueshëm, është urgjente ndërhyrja e koordinuar nga të gjithë aktorët.

Eksperienca jonë nga krijimi i qendrës sonë dhe ekspozimi i mbi 12,000 produkteve artizanale nga 28 disiplinave të ndryshme tregoi se produktet shqiptare janë jo vetëm të bukura dhe me cilësi të lartë, por shquhen edhe për krijimtari të konsiderueshme. Sidoqoftë, sfida kryesore që mbetet për t’u adresuar është ndryshimi i perceptimit të tregtarëve të dyqaneve të suvenireve mbi vlerën afatgjatë të produkteve artizanale vendase.

Analiza tregtare tregon se aktualisht, rreth 70% e asortimentit të dyqaneve përbëhet nga produkte të importuara (nga Kina dhe Turqia), ndërsa vetëm 30% janë artizanale vendase. Diferenca e kostos është e dukshme: një tezgjah artizanal 1 m² kushton mesatarisht 8,000 lekë përfshirë TVSH-në, ndërsa një produkt i ngjashëm i importuar mund të blihet vetëm për 8 euro.

Kur këto produkte ekspozohen pranë njëri-tjetrit, konsumatori natyrisht orientohet tek alternativa më e lirë, duke favorizuar industrinë importuese dhe duke dëmtuar ekonominë artizanale vendase.

Përgjegjësia kryesore bie mbi tregtarët. Përvoja e kufizuar në turizëm ka krijuar një perceptim të gabuar se çmimet e ulëta do të sjellin më shumë shitje.

Në fakt, kjo strategji targeton kryesisht turistët me buxhet të ulët, duke sakrifikuar mundësinë për të tërhequr klientë me fuqi paguese më të lartë. Një orientim i qartë drejt produkteve artizanale autentike, me cilësi të lartë dhe vlerë të perceptuar të madhe, mund të rrisë jo vetëm volumin e shitjeve, por edhe marzhet e fitimit për tregtarët.

Një ilustrim konkret tregon fuqinë e këtij modeli: një klient që fillimisht kërkonte vetëm një suvenir te qendra jonë, përfundoi duke blerë produkte me vlerë totale 70,000 lekë, duke demonstruar qartë se turistët e segmentit “Premium” janë të gatshëm të investojnë në cilësi dhe autenticitet.

Cilat janë zonat ose kategoritë e produkteve që spikasin më shumë (tekstile, punime druri, qeramika, punime me gurë, etj.)? Po te prodhimet e tjera tradicionale?

Në qendrën tonë, Tirana mbetet qyteti me numrin më të madh të artizanëve, e ndjekur nga Shkodra dhe qytete të tjera sipas rendit.

Kur shqyrtojmë kategoritë që dallojnë më shumë dhe që e veçojnë artizanatin shqiptar nga produktet e vendeve të tjera, kryesore janë produktet tradicionale, sidomos tekstilet, punimet e drurit dhe filigrani.

Në mënyrë më të strukturuar, artizanët shqiptarë mund të ndahen në dy rrjedha kryesore. Rrjedha e parë përbëhet nga artizanët e vjetër, të cilët kanë trashëguar brez pas brezi teknikat tradicionale të artizanatit.

Rrjedha e dytë përbëhet nga artizanët e rinj, të cilët kanë studiuar dhe adoptuar teknika të reja, shpesh të frymëzuara nga artizanati online ose nga përvojat ndërkombëtare, duke krijuar një kombinim të praktikës tradicionale me qasje moderne dhe inovative.

Kjo dyndje e dy rrymave krijon një mozaik të pasur të artizanatit shqiptar, ku ruhet tradita, por njëkohësisht krijohen hapësira për inovacion dhe eksperimentim artistik.

A ekziston një rrjet bashkëpunimi midis zejtarëve dhe prodhuesve vendas për të ruajtur cilësinë dhe origjinalitetin e produkteve shqiptare dhe a po mbështetet kjo nga rritja turistike e Shqipërisë viteve të fundit?

Artizanët shqiptarë ruajnë me përkushtim të jashtëzakonshëm teknikat tradicionale të prodhimit artizanal. Ky përkushtim shpesh manifestohet si një “kokëfortësi” në praktikat e tyre, i cili mund të duket si i pamëshirshëm ndaj kërkesave të veçanta të klientëve, por në realitet reflekton profesionalizëm të lartë dhe përkushtim etik ndaj traditës dhe kulturës shqiptare.

Ruajtja e dijeve dhe praktikave tradicionale kërkon një disiplinë të fortë etike, sidomos në një epokë ku presioni i tregut shpesh kërkon fleksibilitet në këmbim të komercializimit.

Megjithatë, rritja turistike e Shqipërisë në vitet e fundit nuk duket se po përkthehet në një mbështetje të plotë për fuqizimin e artizanatit. Shumë tregtarë përfitojnë nga kjo rritje duke përdorur në mënyrë joetike termat “Made in Albania”, ose duke shitur produkte të importuara si të prodhuara autentikisht në bazë të dijes tradicionale shqiptare.

Nëse tregtarët do të ndiqnin të njëjtën përgjegjësi etike që artizanët ruajnë me fanatizëm, ekonomia artizanale shqiptare mund të ishte sot në një nivel maksimal të zhvillimit dhe njohjes.

Ky fenomen tregon nevojën për krijimin e rrjeteve më të strukturuara bashkëpunimi midis artizanëve dhe prodhuesve vendas, për të garantuar cilësinë, origjinalitetin dhe etikën e tregtimit të produkteve tradicionale, duke përfituar nga rritja e turizmit në mënyrë të qëndrueshme dhe të drejtë.

Si e bashkoni ju elementin tradicional me estetikën moderne që kërkon tregu global?

Në qendrën tonë, ky bashkëpunim realizohet duke lidhur dy rrymat kryesore të artizanatit shqiptar: artizanët e vjetër, që ruajnë dijen dhe teknikat tradicionale, dhe artizanët e rinj, të cilët sjellin ide dhe qasje moderne të frymëzuara nga teknikat ndërkombëtare dhe trendet e tregut.

Një shembull konkret është një nga produktet tona më të kërkuara: t-shirt-et me motivet e xhubletës. Ne bashkëpunuam me artizanët për të vizatuar një gamë të gjerë motivesh tradicionale dhe për t’i kombinuar në një dizajn bashkëkohor që i përshtatet estetikës së sotme globale.

Ky produkt tregon qartë sesi kombinimi i dijeve tradicionale me interpretimin modern mund të sjellë vlera të reja, duke ruajtur autenticitetin dhe tërheqjen e produktit.

Roli ynë është të krijojmë ura lidhëse: të pasurojmë artizanët e vjetër me njohuri për nevojat e tregut modern dhe të edukojmë artizanët e rinj mbi dijen e së shkuarës. Ky model bashkëpunimi është thelbësor për ndërtimin e një ekonomie artizanale të qëndrueshme dhe për ruajtjen e traditës në një kontekst global.

Në këndvështrimin tuaj, cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat përballen prodhuesit e këtyre segmenteve në Shqipëri sot, qoftë në aksesin e tregut, furnizimet, apo kostot e prodhimit, duke qenë se ju jeni në kontakt me një pjesë të madhe të tyre?

Nga përvoja jonë e drejtpërdrejtë me artizanët shqiptarë dhe dokumentimi i mbi 1,200 prej tyre në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Mal të Zi, mund të identifikohen disa sfida kryesore që pengojnë zhvillimin e prodhimit artizanal;

Mungesa e brezit të ri të përgatitur për të vijuar traditat artizanale mbetet sfida më e madhe. Artizanët e vjetër përballen me vështirësi në transferimin e dijes dhe teknikave tradicionale, të cilat shpesh janë të ndërlikuara dhe kërkojnë përkushtim të madh.

Brezi i ri shpesh e percepton artizanatin jo si një profesion të qëndrueshëm, por si një aktivitet të pasionit që praktikohet kryesisht në kohën e lirë.

Për të zgjidhur këtë problem, është e nevojshme një ndryshim në perceptimin social të artizanatit, duke lidhur zhvillimin e aftësive tradicionale me përfitimet ekonomike që ky sektor mund të ofrojë. Kjo është një sfidë që kërkon ndërveprim midis edukimit, ekonomisë së tregut dhe stimujve institucionalë.

Shumë artizanë hasin vështirësi në sigurimin e materialeve të nevojshme për prodhimin. Për artizanët e vjetër, disa lëndë të para që dikur gjendeshin lehtësisht nuk janë më të disponueshme në tregun lokal, ndërsa artizanët e rinj shpesh kanë nevojë për materiale që Shqipëria nuk i prodhon ose nuk specializohet. Si rezultat, ata u drejtohen produkteve të importuara, duke rritur kostot dhe duke reduktuar autenticitetin e prodhimeve.

Një zhvillim i qëndrueshëm kërkon investime në industrinë e lëndëve të para dhe orientimin e kërkesës së turizmit drejt produkteve artizanale, duke krijuar një ekosistem të fortë lokal.

Shumica e artizanëve punojnë individualisht, me kapacitete prodhuese të limituara. Hapja ndaj tregjeve më të gjera dhe blerësve me fuqi të madhe i gjen ata të papërgatitur për të ruajtur cilësinë dhe për të përballuar kërkesat e larta.

Edhe pse vitet e fundit ka pasur akses të rritur në tregje lokale të moderuara si Kruja, Tirana dhe Gjirokastra, artizanët individualë shpesh nuk mund t’i përballojnë kërkesat e tregut ndërkombëtar.

Për këtë arsye, aktualisht po punojmë për të nxitur bashkëpunimin midis artizanëve të së njëjtës kategori, duke i ndihmuar të rrisin kapacitetet prodhuese dhe të ofrojnë produkte me cilësi të qëndrueshme.

Si mund të mbështetet apo promovohet më mirë prodhimi “Made in Albania”?

Promovimi dhe mbështetja e prodhimeve “Made in Albania” është një detyrë etike dhe kulturore për çdo shqiptar.

Çdo qytetar mund të kontribuojë duke u siguruar që dhuratat, kujtimet dhe konsumimi i përditshëm përmbajnë produkte vendase. Sot, një pjesë e madhe e shqiptarëve zgjedhin produkte të importuara, duke u shmangur kështu nga mbështetja e ekonomisë lokale.

Veçanërisht gjatë periudhave festive, zgjedhja e produkteve shqiptare për dhurata përfaqëson një mënyrë të drejtpërdrejtë për të forcuar prodhimin lokal dhe punën e artizanëve.

Për tregtarët, është e rëndësishme të respektojnë etikën e tregtisë dhe të mos prezantojnë produkte të importuara si “Made in Albania”.

Krijimi i një hapësire të qartë dhe transparente ku klienti informohet saktë mbi origjinën e produkteve ndihmon në ruajtjen e besueshmërisë dhe diferencimit të produktit autentik artizanal.

Nëse vendos të shesësh produkte të importuara, ato duhet të jenë të veçuara nga produktet shqiptare, duke mos krijuar konfuzion dhe duke mos ulur vlerën e punës së artizanëve.

Artizanët duhet të jenë të vetëdijshëm për rolin e tyre dhe të refuzojnë bashkëpunimin me tregtarë që shesin produkte të importuara si të vendit. Një presion i përbashkët i artizanëve mund të fuqizojë pozicionin e tyre në treg dhe të sigurojë që zëri i tyre të dëgjohet, duke vendosur standarde më të larta për etikën tregtare.

Institucionet publike duhet të mbështesin këtë proces duke monitoruar dhe duke gjobitur të gjitha njësitë tregtare që shkelin ligjin dhe shesin produkte të importuara si prodhime shqiptare.

Vetëm bashkëpunimi i qytetarëve, tregtarëve, artizanëve dhe institucioneve mund të krijojë një ekosistem të qëndrueshëm ku prodhimet “Made in Albania” marrin vlerën dhe respektin që meritojnë.

Sa ka ndikuar rritja e numrit të turistëve në kërkesën për suvenire dhe produkte autentike shqiptare?

Ndikimi i rritjes së numrit të turistëve në kërkesën për suvenire dhe produkte autentike shqiptare ndryshon ndjeshëm sipas disiplinës së artizanatit. Disa degë kanë përfituar më shumë se të tjerat, ndërsa potenciali i plotë i ekonomisë artizanale nuk është shfrytëzuar ende në masë të konsiderueshme.

Nëse e krahasojmë ekonominë artizanale shqiptare me vendet ku këto ekonomi janë ndër më të zhvilluarat në botë, si Japonia apo Peruja, shohim se Shqipëria ka potencial dhe mundësi të ngjashme.

Megjithatë, aktualisht ndodhemi në një fazë ku zhvillimi duhet të pilotohet në mënyrë të qëndrueshme, duke punuar me të gjithë aktorët e ekosistemit për të siguruar që ekonomia artizanale shqiptare të marrë të gjitha përfitimet që i takojnë.

Është gjithashtu thelbësore të shmangen rrugët e shpejta drejt fitimeve, pasi çmimi nuk është gjithmonë elementi më tërheqës për sukses afatgjatë. Cilësia dhe autenticiteti janë faktorë më të qëndrueshëm dhe shpesh më të fuqishëm në sigurimin e fitimeve dhe mbajtjen e një reputacioni të fortë në tregun turistik.

A ka ndryshuar profili i konsumatorit, çfarë kërkon sot turisti mesatar që viziton Shqipërinë?

Sot, Shqipëria është përballur me një rritje të jashtëzakonshme të numrit të turistëve, një fenomen që një dekadë më parë ishte thuajse i paimagjinueshëm. Shumica e blerjeve të suvenireve dhe produkteve artizanale bëhen si blerje impulsi, të nxitura nga emocioni i momentit, më shumë se nga një nevojë e planifikuar.

Kjo tregon një karakteristikë të rëndësishme të turizmit aktual: turistët kërkojnë të marrin kujtime nga vendet që vizitojnë, por niveli i shpenzimeve dhe gatishmëria për të investuar në këto kujtime varen ndjeshëm nga oferta që gjejnë.

Ky kontekst tregon se ekziston një potencial i madh i pashfrytëzuar. Në qendrën tonë, pjesa më e madhe e blerjeve të produkteve artizanale nuk janë të planifikuara, por impulsive. Një shembull ilustrues është një kliente amerikane që erdhi për të ndjekur shfaqjen e mbrëmjes shqiptare dhe përfundoi duke blerë një pikturë me vlerë 2500 euro.

Ky rast tregon qartësisht se tregu është i gatshëm të vlerësojë produkte autentike dhe të veçanta, nëse ato ofrojnë një përvojë të fortë emocionale dhe kulturore.

Në këtë kuadër, zhvillimi i ekonomisë artizanale duhet të strukturohet në një mënyrë që përparësia të jetë përmbushja e nevojës për autenticitet, krijimtari dhe emocion, më shumë sesa konkurrimi në çmim.

Përqendrimi vetëm te çmimi rrezikon të mos shfrytëzojë potencialin real të tregut dhe të humbasë mundësinë për të kapur vlerën e plotë që turistët janë të gatshëm të paguajnë.

Turisti mesatar i sotëm kërkon jo vetëm produkte tradicionale apo suvenire të thjeshta, por gjithashtu eksperienca autentike, cilësi të lartë dhe historinë pas produktit.

Ai vlerëson produkte që reflektojnë kulturën dhe traditën shqiptare, të prodhuara me kujdes dhe integritet, dhe shpesh është i gatshëm të paguajë më shumë për këtë vlerë kulturore. Përveç produktit, përvoja e blerjes dhe historia që lidhet me të janë gjithashtu të rëndësishme.

Turistët e sotëm janë të informuar, përdorin internetin dhe rrjetet sociale për të kërkuar informacion dhe shpesh parapëlqejnë të mbështesin prodhime vendore që tregojnë punë të qëndrueshme dhe etikë profesionale.

Si e shihni rolin e bizneseve artizanale në krijimin e përvojës turistike të vendit? A është bërë zejtaria dhe prodhimet autentike pjesë e markës turistike të Shqipërisë?

Pyetja mbi rolin e bizneseve artizanale në krijimin e përvojës turistike është thelbësore, sepse ajo prek dy dimensione që përcaktojnë suksesin afatgjatë të industrisë së turizmit: dimensionin ekonomik dhe atë emocional.

Të dyja janë thelbësisht të ndërlidhura dhe përforcojnë njëra-tjetrën. Sa më shpejt të kuptojmë se një turist i lumtur e bën Shqipërinë më të lumtur, aq më shpejt bizneset e turizmit do të përfitojnë nga një sukses i qëndrueshëm.

Sot, në nivel global, turizmi i përvojave është sektori me rritjen më të shpejtë. Udhëtarët nuk kërkojnë më thjesht të vizitojnë destinacione të reja, sepse bota digjitale ua ofron tashmë këtë mundësi virtualisht. Ata udhëtojnë për të përjetuar emocione, për të ndier autenticitetin dhe për të krijuar kujtime që mbeten gjatë.

Kjo është arsyeja pse ekonomia artizanale ka potencial të jashtëzakonshëm: ajo nuk ofron vetëm produkte, por histori, traditë dhe dije që mund të përkthehen në përvoja të vlefshme.

Praktikat ndërkombëtare tregojnë qartë se sa më shumë eksperienca autentike të ofrojë një destinacion, aq më shumë tërheq turistë me fuqi të lartë paguese. Artizanët, nëse arrijnë të kthejnë procesin e tyre krijues në përvojë të përbashkët me turistin, rrisin ndjeshëm vlerën e punës së tyre dhe ndikimin ekonomik në komunitet.

Një shembull frymëzues është Kolumbia, një nga prodhuesit më të mëdhenj të kafesë në botë. Në vend që të mbështeten vetëm te shitja e produktit, ata kanë zhvilluar një ekonomi të tërë përreth përvojës: vizita në plantacione, pjesëmarrje në procesin e pjekjes, apo tregime autentike nga punishtet e kafesë. Këto përvoja gjenerojnë shumë më tepër të ardhura se vetë shitja e produktit.

E njëjta logjikë mund të zbatohet në Shqipëri, në disiplina të ndryshme të artizanatit. Le të marrim shembullin e prodhimit të qeleshes. Jo çdo turist do të blejë një qeleshe, pasi nuk është produkt i përdorimit të përditshëm.

Por çdo vizitor do të ishte i gatshëm të paguante për të marrë pjesë në një përvojë ku mëson se si krijohet ajo, që nga përzgjedhja e leshit deri te përpunimi final. Një aktivitet i tillë do të gjeneronte më shumë vlerë ekonomike dhe do të forconte lidhjen emocionale të turistit me kulturën shqiptare.

Në aspektin emocional, përvoja autentike ka fuqi shumë më të madhe sesa vetë produkti. Kënaqësia që vjen nga blerja e një qelesheje është e momentit, ndërsa përjetimi i procesit të krijimit të saj, rrëfimet e mjeshtërve dhe pjesëmarrja në praktikat tradicionale lënë gjurmë të qëndrueshme.

Këto kujtime shndërrohen në ambasadorë të kulturës shqiptare, duke e kthyer çdo turist në një promovues të vlerave tona.

Në fund, turistët vijnë me dëshirën dhe aftësinë për të shpenzuar; ne kemi detyrimin etik dhe profesional të drejtojmë këtë potencial në mënyrë që përfitimi të jetë i dyanshëm. Kur ekonomia artizanale ndërtohet mbi përvoja të ndara, dije dhe autenticitet, fiton turisti, fiton artizani dhe fiton Shqipëria.

Kjo është rruga drejt një modeli të qëndrueshëm të turizmit kulturor që e ngre vlerën e trashëgimisë sonë në sytë e botës.

Si funksionon sot bashkëpunimi mes prodhuesve dhe pikave të shitjes? A ekzistojnë kontrata afatgjata apo janë marrëdhënie spontane e sezonale?

Një nga çështjet kyçe për zhvillimin e qëndrueshëm të industrisë artizanale në Shqipëri është legjitimimi i marrëdhënieve tregtare mes prodhuesve dhe pikave të shitjes. Sot, shumë marrëdhënie janë spontane ose sezonale, dhe mungesa e kontratave të formalizuara krijon pasiguri si për artizanët, ashtu edhe për bizneset që ofrojnë produktet e tyre.

Në qendrën tonë, përvoja ka treguar se formalizimi i bashkëpunimit është një hap i domosdoshëm për të krijuar një ekosistem të qëndrueshëm.

Kur kemi prezantuar kontratat e bashkëpunimit me artizanët, disa prej tyre kanë shfaqur habi dhe madje njëfarë frike, pasi nuk janë mësuar të kenë marrëdhënie të rregulluara ligjërisht. Shumë artizanë operojnë jashtë sistemit formal dhe nuk përfitojnë nga të drejtat dhe mbrojtjet ligjore që u takojnë.

Për të ndërtuar një marrëdhënie të qartë dhe të qëndrueshme, kemi implementuar një proces standard të anëtarësimit që përfshin: plotësimin e formularëve të aplikimit, nënshkrimin e kontratës së bashkëpunimit, dorëzimin dhe inventarizimin e produkteve, si dhe monitorimin periodik të marrëdhënies.

Ky proces garanton transparencë, siguri dhe respektimin e të gjitha rregullave ligjore.

Ndërtimi i një infrastrukture të tillë nuk ka qenë i lehtë, duke pasur parasysh problematikat e shumta të një tregu ende në zhvillim. Megjithatë, rezultatet tregojnë se është e mundur të krijohet një sistem funksional që përfitojnë të gjithë aktorët pa nevojën e praktikave joligjore.

Çfarë modeli bashkëpunimi do të dëshironit të shihnit që do ta bënte zinxhirin e vlerës më të qëndrueshëm?

Për të ndërtuar një model bashkëpunimi që e bën zinxhirin e vlerës më të qëndrueshëm, është e nevojshme të ndërtohet mbi disa themele kyçe:

Suksesi i produkteve dhe përvojave autentike varet drejtpërdrejt nga disponueshmëria e tyre për turistët gjatë itinerareve kryesore. Shqipëria ka tre rrjedha kryesore turistike: itinerari urban dhe kulturor (Tiranë, Krujë, Berat, Gjirokastër), itinerari bregdetar (Tiranë, Durrës, Vlorë, Sarandë) dhe itinerari malor (Tiranë, Shkodër, Theth, Valbonë, Lumi i Shalës).

Në çdo ndalesë kryesore të këtyre itinerareve duhet të ketë struktura që promovojnë dhe ofrojnë produkte dhe përvoja autentike shqiptare.

Një standard i unifikuar i prezantimit dhe ofrimit të këtyre shërbimeve dhe produkteve është kyç për ruajtjen e cilësisë, pavarësisht destinacionit.

Modeli duhet të shmangë rrugën e fitimeve të shpejta të bazuara te importet me çmime të ulëta, që mund të tërheqin vetëm një segment të kufizuar turistësh.

Fokusi duhet të jetë te përvoja autentike dhe mbrojtja e prodhimeve vendase, duke rritur vlerën e ekosistemit përmes konsumit të qëndrueshëm dhe edukimit të turistëve mbi kulturën dhe mjeshtërinë shqiptare.

Qëndrueshmëria kërkon rregulla të qarta: marrëdhëniet tregtare duhet të formalizohen, taksat dhe detyrimet ligjore të respektohen. Shmangia e këtyre detyrimeve mund të sjellë fitime të përkohshme, por nuk garanton sukses afatgjatë.

Një strukturë e qartë ligjore dhe e standardizuar forcon besueshmërinë dhe stabilitetin e zinxhirit të vlerës.

Një model bashkëpunimi i suksesshëm kërkon koordinim të përpiktë mes të gjithë aktorëve të ekonomisë turistike: artizanëve, operatorëve turistikë, strukturave të promovimit dhe institucioneve publike.

Kur të gjithë punojmë në harmoni dhe ndajmë informacionin dhe resurset, vlera e shtuar rritet ndjeshëm, dhe koha drejt shfrytëzimit maksimal të potencialit të tregut shkurtohet./MONITOR

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top